Nga Mero Baze
Mund të ketë probleme etike dhe takti, debati në një mbledhje ku Erion Veliaj në cilësinë e pronarit të klubit “Tirana” kërkon vota dhe angazhim për shkarkimin e Armand Dukës. Nuk kemi vendosur ndonjë herë kamera në mbledhjet e ngushta ku flasin Armando Duka dhe mbështetësit e tij që t’i krahasojmë në këtë pikë edhe pse ka pak rëndësi.
Në betejën për zgjedhjet e reja në federatë problem nuk është mungesa e taktit të Erion Veliaj apo kritikëve të tjerë të Armando Dukës. Problemi është që nuk ka zgjedhje.
Armand Duka po shkon drejt rizgjedhjes së gjashtë të tij, pa bërë kurrë garë. Shumë kryeministra dhe zyrtarë të shtetit, duke filluar nga Sali Berisha, kanë tentuar të ndërhyjnë në ndryshimin e rregullave të zgjedhjes së tij por nuk ja kanë dal.
Më 2006 Bujar Leskaj në cilësinë e Ministrit të Kulturës dhe Sportit dështoi ti diktonte një ligj të re zgjedhjesh federatës. Në zgjedhjet e rradhës Bujar Leskaj ishte shkarkuar nga Ministër dhe Frangaj që kishte fituar gjithë pushtetin pranë Berishës, e bëri Berishën aleatë me “Dukën e krimit”.
Në zgjedhjet e parafundit kur Bashkim Fino tentoi ta sfidoj, Armand Duka u kujtua se paska akoma njerëz që kanë iluzione ta mundin me votë. Dhe pas kësaj ndryshoi tërësisht ligjin e zgjedhjes së tij, duke e bërë atë një ligj që emëron Armand Dukën kryetar të përjetshëm të Federatës.
Në betejën kundër Armando Dukës, të gjithë janë në kurthin e një rregulloreje zgjedhjesh, që është një mekanizëm që nuk zgjedh, por emëron Armando Dukën. Nervozizmi i Erion Veliajt është një pasojë e këtij kurthi që ka ngritur Armando Duka për të mos u prekur.
E vetmja gjë e rëndësishme në deklaratën e Veliajt është ajo për të cilën e sulmojnë më shumë, që thotë se “në këtë çështje duhet të hyj SPAKu dhe drejtësia”. Kjo është e vetmja zgjidhje.
Vetëm vitin e fundit ka aq fakte flagrante abuzimi, sa Armando Duka e ka të sigurt ndëshkimin ligjor. Mjafton të kujtojmë se ai ka paguar miliona lek në llogarinë private të vajzës së presidnetit të Tiranës Refik Halili, meqë llogaritë e klubit të tij janë bllokuar nga përmbarimi, pra ka devijuar zbatimin e drejtësisë duke prodhuar dhe krim penal dhe skandal financiar.
Mos të flasim për tenderat e tij të fundit, plot konflikte interesi dhe shkelje të ligjeve shqiptare.
E vetmja e vërtet që duhet të pranojmë është që në Federatën Shqiptare të Futbollit nuk ka zgjedhje. Nuk ka pasur as më parë. E vetmja zgjidhje është që drejtësia të hetojë veprimtarinë antiligjore të Federatës dhe ta vendos para ligjit kreun e saj, që nga abuzimet financiare deri tek përgjegjësia për shitjen e ndeshjeve dhe qëndrimet klienteliste ndaj klubeve për diktimin e fituesit të kampionatit. Vetëm prangat kanë larguar Blaterin, në krye të FIFA, Paltinin në krye të UEFA, së fundmi dhe presidentin e Federatës së Kroacisë dhe dhjetra raste të tjera.
Pastaj mund të zgjidhet drejtuesi i ri.
Në këtë betejë, e vetmja gjë morale është në anën e atyre që duan të heqin Armando Dukën dhe e vetmja gjë antiligjore dhe amorale është në anën e atyre që duan të mbrojnë Armand Dukën se sipas tyre është “hajdut I fort” që i ka rregullu gjërat si I do vet. Kur banda e Armando Dukës mori drejtimin e Federatës, me mbështetjen brutale të Fatos Nanos në vitin 2002, rivalin e tij, një nga veteranët e federatës së Futbollit Medi Bushati, as e llogariti që ishte rival, duke shkelur cdo rregull në emër të pushtetit të Fatos Nanos që atëhere e kishte pjesë të “Klanit të Zemunit” siç u thoshte Berisha.
Për ironi të fatit ata që mbrojnë Armand Dukën në tërësi janë mbështetës të Sali Berishës dhe “Foltores” e cila lufton gjoja për zgjedhje të lira në PD, dhe mbron një njeri dhe institucion që nuk bën kurrë zgjedhje. Kjo flet shumë për falsitetin e kauzës së tyre, dhe për ëndrrën e tyre të vërtet për të qenë njerëz të paprekshëm gjithë jetën, dhe në karike në dhe në pasuri. Si Armando Duka.