Vjosa Osmani ka bërë të ditur se zgjedhjet në veri të Kosovës janë shtyrë për në prill të vitit 2023.
Pas një takimi që pati me përfaqësuesit e partive politike, Osmani tha se për këtë vendim ka pasur konsensus të plotë mes partive politike dhe se është marrë parasysh edhe raporti i dërguar dje në Presidencë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, tha ajo një konferencë për media pas takimit.
Data e saktë se kur do të mbahen zgjedhjet do të bëhet e ditur gjatë orëve në vijim, tha Osmani.
Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë regjistruar disa incidente, përfshirë të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave, por, pa pasoja në njerëz.