Instagram u rikthye sërish pasi një ndërprerje për më shumë se një orë pasditen e të enjtes. Nëse do të hyje nëpërmjet telefonit mesazhi që do të shihje ishte se “nuk mund të rifreskohen postimet”, ndërsa në versionin desktop dilte me logon e Facebook ku thoshte: “Ndjesë, diçka ka shkuar gabim”.
“Sot herët, një çështje teknike u shkaktoi disa përdoruesve pamundësinë për të hyrë në llogaritë e tyre në Instagram. Tani është përmirësuar tërësisht dhe kërkojmë ndjesë”, thotë një zëdhënës i Instagramit.
Down Detector, sipas Cnet, regjistroi plot 38 mijë raportime rreth orës 15.00 dhe më shumë se 57 mijë rreth orës 15.40. Harta tregon se problemi ka qenë global në të gjithë kontinentet.
Vetë Instagrami bëri të ditur problemin përmes një postimi në Twitter, rreth orës 15.41 duke thënë se po punonte për të rregulluar këtë çështje.
Në fakt këto kohë rrjetet sociale në pronësi të kompanisë së Facebook kanë hasur probleme herë pas here duke mos funksionuar. Kujtojmë që vetëm pak kohë më parë pati një mosfunksionim total të Instagram, WhatsApp dhe Facebook.