Të gjithëve u bëri përshtypje ndryshimi drastik në pamje i Nora Malajt pasi kaloi COVID-19, një humbje e madhe peshe dhe një lodhje e dobësi që dukej në sy.
Mesazhet inkurajuese për zyshë Norën, siç e njohim të gjithë, nuk munguan nga të njohur e të panjohur teksa politikania rikthehet edhe më energjike pasi kaloi një periudhë të vështirë që nisi me humbjen e nënës së saj në prill dhe sëmundjen e tmerrshme nga e cila shpëtoi në fillim të gushtit.
Por çfarë ka ndryshuar te Nora Malaj koronavirusi? Siç thotë vetë në këtë intervistë për tirananews.al, “unë ja dola dhe fitova mbi këtë virus tinzar, që të lodh, të bluan, të provon forcën, rezistencë dhe ekzistencën tënde dhe në fund dhe ai “dorëzohet” dhe ikën nga trupi yt, jo me dëshirë, por tërësisht i mundur”.
Znj. Malaj flet dhe për deklaratat e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, partia ku ajo aderon, se COVID-19 është mashtrim apo konspiracion. Ajo thotë se janë fjalë që nuk duhet të dalin nga konteksti dhe se kryetarja e LSI i qëndron asaj se mirëqënia psikologjike e përballimit të këtij virusi ndikon pozitivisht tek njeriu. “Në rastin konkret mendim i Monës është pjesë e sportivitetit me të cilën ajo e mendon dhe dëshiron ta shoh këtë situatë. Kjo në psikologjinë sociale quhet qasje optimiste, me ngarkesë pozitive. Pasi është shumë e vërtetë , që nëse nuk beson dhe nuk panikosesh nga mendime dhe situatat stresuese që sot po kalojmë, cdo situatë sado të rëndë, e kalon më mirë kur je me mendim pozitive”, thotë znj. Malaj
Nga përvoja e saj munduese me këtë sëmundje Nora Malaj bën dhe një diagnostikim të situatës në vend dhe se çfarë duhet të përmirësojmë. Infektimi nga koronavirusi ka ndryshuar këndvështrimet e politikanes e cila duke e trajtuar si një rast suksesi këtë gjendje dhe e gatshme siç shprehet ajo për të dhënë kontributin e saj sot që çdo shqiptar duhet të bëj më të mirën për vendin e tij.
INTERVISTA
Prej më shumë se një muaji ju jeni shëruar nga COVID/19 , duke kaluar një muaj e gjysmë të vështirë. Si i keni kaluar këto ditë , derisa mbërritët te ditët e shërimit.
Asgjë nuk ka qenë e thjeshtë, as nuk ishte ëndërr, por një realitet i trishtë, me ditët e net herë -herë shumë të vështira, herë më të qeta , me mungesë shije dhe arome, me dhimbje trupi, kyçe, djersë të ftohta dhe dhimbje trupi e kockash. Asgjë nuk të duket si më parë, as shija e ujit, as shija e bukës, as dëshira për të komunikuar. Çdo gjë të dhemb dhe t’i nuk mundesh as të ankohesh. Ke nevojë për ajër dhe shikon kalendarin me shpresë se dita tjetër do të jetë më e mirë. Djersët e ftohta që të venë kokë e këmbë dhe që nuk sosin kurrë dhe t’i që kur bie për të fjetur e ndjenë që hera herës po fle me “vdekjen” pranë. Ankthi dhe frika bëhen bashkudhëtarët e tu dhe ti lufton fort e kapesh me “thonj”, për të fituar dhe për ta dashur jetën shumë, duke ju qenë mirënjohës, familjarëve të tu, njerëzve më të afërt, miqve dhe kolegëve dhe dashamirësve që më qëndruan pranë dhe që unë ja dola dhe fitova mbi këtë virus tinzar, që të lodh, të bluan, të provon forcën, rezistencë dhe ekzistencën tënde dhe në fund dhe ai “dorëzohet” dhe ikën nga trupi yt, jo me dëshirë, por tërësisht i mundur. Po mos të harrojmë se, teksa ikën të lë pas ca pasoja, që lidhen me debolesën dhe fuqinë që të duhet pak kohë për ta marr veten. Një nga këshillat e mia është që nuk duhet të të zërë ataku i panikut dhe ndërkohë duhet të konsumohen shumë lëngjet, të cilat ikin me shumice nga trupi, si dhe frutat e stinës dhe supëra të ndryshme. Një terapi mjaft e mirë ato ditë ka qenë dëgjimi i muzikës, sidomos klasike dhe mesazheve të miqve, të cilët nuk reshtën duke më dërguar SMS dhe mesazhe zanore mbështetëse dhe kurajoje. Një falënderim e mirënjohje pa fund për të gjithë ata që nuk kursyen së komunikuari si në rrjetet sociale me mua por edhe për median dhe gazetarët që më falën shumë mirësi dhe mbështetje në ato ditë. Mirënjohje për të gjithë JU!
Faktori psikologjik nuk mund të qëndrojë jashtë vëmendjes në këto kohë pandemie. Ju humbët nënën tuaj, më pas vjehrrin, kohë dhimbjesh shpirtërore dhe më pas virusi i rrezikshëm. Nuk do të doja të ndalesha tek ajo që kaluat me COVID-19, më tepër se sa tek Nora tani pas shërimit. Çfarë ka ndryshuar koronavirusi tek Nora Malaj, tek këndvështrimi juaj si një qytetare, grua e nënë?
Më kujtohet një nga thëniet monumentale të Shën Terezës e cila thotë se “ varfëria më e madhe nuk është të mos kesh se çfarë të hash, por të mos jesh i kërkuar , i dashur nga të tjerët, te mos kesh dikë që të kujdesët për ty. Kjo është varfëria më e madhe”.
Pikërisht kjo periudhë që kalova, gjithë ky kalvar mundimesh dhe dhimbesh që kam provuar këtë periudhë, më ka bërë të vlerësoi ciklin e jetës tashmë ku po jetoj. Më ka bërë të vlerësoj me realizëm miqtë, njerëzit më të cilët jemi rrethuar dhe shoqërinë ku ndodhemi. Tashmë te unë kam ndryshuar shumë gjëra. Humbja e prindërve, situate e karantinës, ndryshimi i sjelljeve në komunitet, mos pasja mundësi e dhënies së një përqafimi, që për ne si mesdhetarë e kemi pjesë të sjelljes sonë, të tregon që tashmë dhe sjellja duhet ta ndërrosh, të jesh më distante, të rivlerësosh prioritete, ta shoh botën me ngjyrat e ylberit, të shtoj dozën e dashurisë, duke iu përkushtuar më shumë dashurisë, jo vetëm për familjen time, për mjaltin e mjaltit që ëshët mbesa ime, për miqtë e mi, për mëngjesin kur dielli lind, dhe perëndimin që është mahnitës. E vlerësoj maksimalisht genin e popullit tim dhe mbi të gjitha mendoj se kemi shumë për të bërë për gjeneratat , që të transmetojnë dashurinë midis brezave. Vetëm kështu mund të them që energjia pozitive, dashuria për njerëzit dhe njerëzimin,duhet të jetë testament, për t’iu lënë brezave, një vend të dëlirë, ku liria e individit të jetë e pacenuar dhe ku cdo kush të ndjehet i barabartë dhe raporti të jetë sa më njerëzor dhe miqësor.
Tashme jetojmë ne kohe te reja ku prioritet do të jenë shumë më ndryshe dhe ku do të kemi tjetër qasje ndaj problemeve dhe të tjera sfida të reja na presin. Ajo që më mësoi kjo situatë është që duhet më shumë durim, më shumë energji pozitive, më shumë analizë dhe për të bërë disa zgjidhje radikale që e keqja në këtë vend të shkulet me rrënjë dhe të gjithë të jemi sfidantë dhe të pranojmë sjelljet e reja që na imponon koha, në interes të triumfit të jetës.
Këto ditë po flitet shumë për koston e trajtimit mjekësor në kushte shtëpie, e përllogaritur në afërsisht 1 milionë lekë të vjetra. E përmenda këtë fakt për të bërë një diagnostikim të situatës znj. Malaj. Ka shumë kritika, thënie e kundërthënie mbi menaxhimin e situatës së pandemisë. Si një qytetare që e keni kaluar tashmë koronavirusin çfarë mendoni se duhet të ndryshojë?
Sigurisht që kjo gjendje që kalova kishte një kosto jo të vogël financiare, që varion për një njeri nga 70000 deri në 120000 të reja , kur ke dhe sëmundje të tjera kronike, kurimi bëhet edhe më i kushtueshëm, pasi ka nevojë për ndihmë të specializuar, për këshilla të vazhdueshme dhe për shërbime të dedikuara, të cilat nuk kanë fatin që t’iu bëhen të gjithëve. Të mos harrojmë që një pjesë e madhe e popullatës jetojnë më të ardhura bazike dhe pjesa tjetër është në varfëri, që e ka të pamundur ta përballojë situatën në kushte familjare(në shtëpi, ambulatore)dhe njëkohësisht e kanë vështirë, nëse nuk i asiston dhe i udhëzon mjeku i familjes.
Së pari, mendoj se tashmë COVID nuk është çështje numrash , por jetësh njerëzore dhe që kanë nevojë për një guidë të vërtetë nga institucionet përgjegjëse, jo vetëm për hapat për parandalimin por edhe për mënyrën sesi duhet të sillen të gjithë qytetarët, gjatë COVID-it dhe pas tij, gjatë procesit të integrimit në shoqëri dhe në aktivitete e përditshme pas kalimit të saj.
Së dyti, tashmë duhet të jetë mjeku i familjes ai që duhet të dirigjoj këtë situatë, si për të sëmurët dhe për familjarët e tyre, që të dinë të ndihmojnë të karantinuarit apo të vetkarantinohen, ata qytetarë që e kalojnë këtë situatë.
Së treti, tashmë Instituti i Shëndetit Publik duhet të kish përgatitur buletinet për të raportuar dhe marr në analize grupet e prekura dhe cilat duhet të jenë masat e marrë për të ndihmuar kategortitë e ndryshme, gjinore, moshore dhe sociale , si dhe sjelljet kur kemi aktivitet masive, siç është fillimi i viti shkollor . Të ketë një grafikë për të treguar deri tani cilat janë fashat e moshave të prekur dhe si duhet të sillen prindërit, mësuesit, edukatorët dhe nxënësit në këto raste, të cilat me gjasa do të jenë pjesë e vijimësisë së viti të ri shkollor që po fillon.
Së katërti , shteti e ka detyrë që të japi bonus finaciar dhe t’ju japi paketë falas të gjithë kategorivë në nevojë, që nuk kanë mundësi ekonomike për të përballuar këtë gjendje, pasi nëse kemi trumpetuar me tam tame “shëndetësia falas”, tani është moment, që të vihen dhe të përcaktohen buxhete të dedikuara për këto familje që kalojnë situatën e COVID dhe që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të siguruar ushqimin e përditshëm dhe për të përballuar pandeminë.
Së fundi, po jo për nga rëndësia , ajo që kam vënë re është solidariteti social, kur bëhet fjalë për humbje apo ruajtjen e jetës, ndaj duhet të heqim dorë nga pseudo situatat që nuk tregojnë realitetin, por të jemi më të vëmendshëm karshi realiteteve që na shfaqen, dhe mos i pikturojmë tablotë si sureale , por të vërtetën ta themi edhe kur ajo dhemb. Asgjë nuk bëhët pa mbështetje, me sjellje qytetare dhe duke marrë përgjegjësi. Kemi nevojë të sillemi si qytetarë, as të mos panikosemi, as të mos mllefosemi, as të mos heshtim, po me durim, si pika e ujit që pikon pikë pikë, të flasim për gjërat që na trembin, ti drejtohemi shtetit, kur do të heqë përgjegjësitë nga situate dhe të gjejmë rrugët dhe shtigjet të cilat të çojnë në zgjidhjen e situatave, ku komunikimi është arma më e fortë për bashkëpunim dhe për zgjidhjen e situatave edhe kur ato janë të vështira dhe hera herës duken si të pashpresa. Duhet forcë e madhe të thuash se gjithçka po shkon mirë?!
Për të qëndruar në këtë temë, kryetarja e LSI-së, partisë ku ju aderoni vijon ta quajë konspiracion apo mashtrim COVID-19 siç e ka shprehur në deklaratat e saj. Si e interpretoni këtë deklaratë?
Asnjëherë gjërat nuk duhet t’i shohim jashtë konteksti ku bëhet një deklaratë dhe ku shprehet një mendim apo vlerësim për situatën që kalojmë. Personalisht nuk e kam dëgjuar këtë që thoni ju po mendoj se çdo kush ka të drejtë të japi dhe të mendojë atë që ai beson. Në rastin konkret mendim i Monës është pjesë e sportivitetit me të cilën ajo e mendon dhe dëshiron ta shoh këtë situatë. Kjo në psikologjinë sociale quhet qasje optimiste, me ngarkesë pozitive. Pasi është shumë e vërtetë , që nëse nuk beson dhe nuk panikosesh nga mendime dhe situatat stresuese që sot po kalojmë, cdo situatë sado të rëndë, e kalon më mirë kur je me mendim pozitive. Pastaj Monën e favorizon edhe një fakt tjetër. Sipas asaj që kam lexuar, thonë që ata që kanë grupin e gjaku 0 pozitivë apo negativë, propabilitetin e kanë të mos preken fare ose shumë lehtë nga COVID. Kjo vjen nga shkalla e imunitetit të organizmit, dhe Mona është grup gjaku zero dhe ndaj nuk lodhet së stimuluar pozitivitetin dhe të dhuruara energji, i takon atij grup gjaku që mund të dhuroj për këdo. Të mendosh ndryshe nuk është mëkat, por vetëm një interpretim tjetër i realitetit , në një tjetër këndvështrim. Të besosh te jeta dhe te Zoti , nuk ka pandemi apo vështirësi që nuk e kalon. Tek e fundit askush nuk e qas të keqen pranë vetes. Të gjithë duan ta largojnë dhe në subkoshiencë nuk e pranojnë. Edhe kur na kap luftojmë fort për të fituar mbi të keqen, që të triumfojë e mira.
A i jeni rikthyer tashmë jetës politike në mënyrë aktive, duke qenë se vendi është vetëm 7 muaj para zgjedhjeve. E përsa i përket politikës, mund të flasim për një efekt të kundërt të sëmundjes, pra, a është Nora Malaj tashmë më energjike në misionin e saj dhe si e shihni aksionin politik të LSI-së në këtë periudhë?
Në këto ditë shtatori, natyrisht, me kapërcimin e kësaj situate, duke e trajtuar tashmë si një rast suksesi, sfida të tjera më presin. Jemi në prag të fillimit të viti të ri shkollorë, që është një sfidë tjetër mbarë kombëtare për ta përballuar me sukses dhe me energji sa më pozitive. Ka shumë dilema dhe situata në prag të këtij fillimi viti shkollor është shumë kaotike dhe e paqartë, si nga ana e dikasterit që e drejton dhe për prindërit dhe fëmijët. Le të shpresojmë për më të mirën. Ky është vit shumë i rëndësishëm për vendin. Jemi përpara sfidës së madhe të zgjedhjeve të ardhshme elektorale dhe këto zgjedhje janë vendimtare për Shqipërinë, pasi ato tashmë do të bëhen jo vetëm në një vit të vështirë që na ka lënë pandemia, por edhe në situatën më të rëndë që po kalon ndonjëherë vendi ynë. Ekonomi e rënduar, borxhi po shkon drejt 80 për qind të buxhetit për t’u paguar, punësim i pamundur, korrupsioni drejtë shifrave më të frikshme të rajonit, pabarazi në çdo sektorë , popullatë që ka humbur besimin totalisht te klasa politike dhe te qeverisja më e paaftë në këto 30 vite dhe një tranzicion i stërzgjatur. Jemi përballë të keqes më të madhe që duhet zhdukur me rrënjë. Të keqes që krimi ka kapur për fyti qeverinë , e cila drejtohet prej tyre dhe e ka bërë vendin të pajetueshëm. Në këtë situatë, zgjedhje nuk janë thjeshtë për rrotacion katër vjeçar, por për 30 vitet e ardhshme, që Shqipëria të mos rrudhet, të mos braktiset dhe të mos kthehet në “shprehje gjeografike”, siç do ta dëshironin tradhtarët e vendit, por të jetë vendi i shqiptarëve, ku të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre, në shtëpinë e tyre. Këto zgjedhje nuk janë për partitë politike, as për individët, por janë më shumë se kaq. Janë zgjedhje patriotike, ku kushdo që e ndjenë veten patriot, duhet të shprehet me votë dhe ta ruaj atë, si gjënë më të shenjtë dhe më të shtrenjtë të misionit për të ruajtur familjen e tij, shtëpinë e tij dhe vendin e tij. Këto janë zgjedhje për 30 vitet e ardhshme, për ta bërë Shqipërinë zonjë, jo vendi më të korruptuar , ku dhe ajri është i ndotur, dhe buka është pashije, dhe lulja është paerë dhe uji është i turbullt, se ka qeverisjen me arrogante, të korruptuar dhe që fatkeqësisht , me timon dhe pa timon , ata burra e gra, vajza e djem, gjyshër e gjyshe kemi në këtë fushatë. Të zhdukim të keqen , për të mirën e vendit. Se tani është koha për atë shprehjen e madhe të Presidentit Amerikan, sot çdo shqiptar duhet të bëj më të mirën për vendin e tij . Unë edhe këtë herë do të jem në fronti e parë, se e ndjejë dhe besojë te vendi im, te populli im, te program i opozitës së bashkuar , po mbi të gjitha besoj të misioni i Nënës dhe Gruas, që këtë herë do të jetë zëri dhe vota që do të vendosi për fatet e vendit dhe fëmijëve të saj. Se Shqipërinë, që lindi nga idealistët , u zhvillua nga patriotët nuk mund ta lejojmë ta vdesin politikanët e korruptuar. / tirananews.al