Nga L. Tanushi
Edhe pse kanë kaluar mëse tre dekada, ende çështja e hapjes së dosjeve që kanë të bëjnë me ish-Sigurimin e Shtetit mbetet një temë e nxehtë, ku nuk mungojnë akuzat politike nga të dy krahët politikë. Në një intervistë për tirananews.al, Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula thotë se gjatë këtyre katër viteve punë, rreth 1400 qytetarë kanë kërkuar të njihen me dosje të ish-Sigurimit të Shtetit dhe rreth 4000 dosje u janë vënë në dispozicion individëve, studiuesve dhe mediave si dhe qindra të tjerë që kanë aplikuar për qëllime rehabilitimi dhe dëmshpërblimi, internimi etj. Znj. Sula sqaron se verifikimi i pastërtisë së figurës së zyrtarëve dhe funksionarëve të lartë është element i rëndësishëm i punës së AIDSSH dhe se deri më 31 mars 2020, për vetingun në drejtësi (KLP, KED, KLGJ, SPAK, Prokurori) janë verifikuar gjithsej 481 kandidatë, nga të cilët 11 figurojnë me dokumente, kurse për vetingun në Polici deri në 31 mars janë verifikuar 78 kandidatë, nga të cilët 5 figurojnë me dokumente. E pyetur lidhur me zhdukjen e dosjeve në vitet e para të demokracisë, Kryetarja e AIDSSH Gentiana Sula thekson se në prag të ndryshimit të sistemit, udhëzimi i Ministrit të Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, dërguar të gjitha degëve të punëve të brendshme në rrethe për asgjësimin e dosjeve në zotërim, u zbatua nga një pjesë e mirë e tyre, ndërkohë që në vitet që pasuan, pati dëme në dosje në periudha të vështira edhe për shtetin shqiptar. Sula bën të ditur se një nga nismat e ndërmarrë nga institucioni që drejton lidhet dhe me amendimet e duhura në ligj në kuadër të vlerësimit të pastërtisë së figurës së kandidatëve për deputetë, apo kandidatëve për kryetar bashkie, për qëllime të transparencës gjatë fushatave elektrorale. Kjo do të thotë që kandidatët e propozuar nga i gjithë spektri politik, të njihen nga zgjedhësit edhe për të shkuarën e tyre dhe marrëdhënien me ish-Sigurimin e Shtetit. Në këtë, linjë AIDSSH do të verifikojë paraprakisht edhe pastërtinë e figurës së personit që do të propozohet për të marrë medalje, dekorata apo tituj nderi në Shqipëri.
Intervista e plotë:
- Znj. Sula, sa është numri i dosjeve që ju keni marrë në shqyrtim deri më tani që kanë të bëjnë me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit?
AIDSSH është në vitin e katërt të funksionimit, mes sfidash komplekse në përballje me të shkuarën.
Deri më sot, rreth 1400 veta kanë kërkuar të njihen me dosje të ish-Sigurimit të Shtetit.Në total, rreth 4000 dosje u janë vënënë dispozicion individëve, studiuesve dhe mediave. Këtu mund të shtohen qindra të tjerë që kanë aplikuar për qëllime rehabilitimi dhe dëmshpërblimi, internimi, apo dokumentet e deklasifikuara për Dialogët lokalë në qytete dhe konferencat shkencore ndërkombëtare të AIDSSH. Po ashtu, dhjetëra kërkesa institucionale për disa qindra kandidatë të verifikuar.
Një ndër kërkesat që ka ardhur në rritje vazhdon të jetë zbardhja e bashkëpunëtorëve.Deri tani, pranë AIDSSH-së 60 veta kanë kërkuar zbardhjen e bashkëpunëtorëve, ku kërkohet zbardhja e 619 bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit. Mes aplikuesve ka persona të ndjekur deri nga 68 bashkëpunëtorë, për të cilët po bëhet një punë e madhe dhe e kujdesshme për t’i zbardhur për të interesuarit.
- Prej tyre, sa është numri i zyrtarëve që janë verifikuar nëse kanë pasur dosje ose jo nga ish-Sigurimi i Shtetit?
Që nga krijimi e deri më sot, verifikimi i pastërtisë së figurës së zyrtarëve dhe funksionarëve të lartë është element i rëndësishëm i punës së AIDSSH, në kuadër të shkëputjes morale. Deri më 31 mars 2020, për vetingun në drejtësi (KLP, KED, KLGJ, SPAK, Prokurori) janë verifikuar gjithsej 481 kandidatë, nga të cilët 11 figurojnë me dokumente dhe 470 të pastër. Po ashtu, deri më 31 mars 2020, për vetingun në Polici janë verifikuar 78 kandidatë, nga të cilët 5 figurojnë me dokumente. Vendimet përkatëse u janë dërguar institucioneve dhe janë publikuar të shkurtuara në faqen zyrtare të Autoritetit,në kuadër të transparencës e komunikimit me publikun.
- Si mund të aplikojë dikush që ka kërshëri të mësojë nëse ka pasur dosje dhe ende nuk e ka bërë?
Qytetarët e interesuar, ish-të përndjekur, familjarë të tyre, studiues, studentë, media vendase dhe të huaja mund të aplikojnë pranë AIDSSH, duke u paraqitur fizikisht pranë institucionit dhe plotësuar formularët përkatës, me dokumentacionin e kërkuar në formular, të asistuar nga ne.
Po ashtu, formularët mund t’i gjejnë online në faqen zyrtare të AIDSSH, www.autoritetidosjeve.gov.al, ku të interesuarit mund të plotësojnë aplikimin online. Komunikimi mbahet online nga specialistët përkatës të institucionit, deri në dorëzimin e dosjes për të cilën, personi, familjari, media, studiuesi duhet të paraqitet fizikisht pranë AIDSSH. Në rastet e këtyre të fundit plotësohet njëdeklaratë konfidencialiteti, ku studiuesit dhe mediat që tërheqin dublikata të dosjeve të AIDSSH, angazhohen zyrtarisht dhe në përgjegjësinë e tyre për përdorimin e materialeve në përputhje me ligjin.
- Edhe pse kanë kaluar 30 vjet, një problem mbeten të ekzekutuarit në komunizëm, të cilëve nuk u dihet varri. Përpjekja shumëvjeçare e familjeve “frenohet” në kërkesën e shtetit për referim në ”Kodin Civil” të të zhdukurit, kur “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë” nuk e parashikon fshehjen e trupit. Si mund të zgjidhet ky ngërç?
Ka vite që AIDSSH përpiqet të japë kontributin e vet në këtë çështje. Sipas të dhënave, mund të ketë rreth 6000 të zhdukur gjatë diktaturës, të ekzekutuar me dhe pa gjyq. AIDSSH ka ndihmuar për aq sa e ka pasur të mundur rreth 70 të interesuar për qartësimin e fatit të të zhdukurit, qoftë edhe përmes vendimeve gjyqësore. Po ashtu, në faqen zyrtare të institucionit janë lehtësisht të dukshme aplikacionet për kërkimin dhe identifikimin e vendvarrimeve, në bashkëpunim me ICMP në Shqipëri dhe IIPP. Aktivitete të dedikuara, nderime e vlerësime personalitetesh që e kthejnë vëmendjen te të zhdukurit, ekspozita të profileve njerëzore dhe kërkesapër ruajtjen dhe mbrojtjen e vendeve të pushkatimit, e vendvarrimeve të fshehta apo të deklaruara të periudhës së diktaturës, duke siguruar parandalimin e trajtimit të paligjshëm të vendeve të pushkatimit dhe vendvarrimeve; mostjetërsimin e sipërfaqeve të këtyre vendeve; frenimin e shkatërrimit të objekteve dhe vendeve ku janë evidentuar veprimtari të shtetit komunist ndaj individëve, duke i vendosur këto vende në ruajtje dhe mbrojtje të posaçme, u janë dërguar të gjitha njësive të qeverisjes vendore.
Siç ju e vini në dukje, përtej hapave konkretë në këtë drejtim dhe projekteve në proces, janë të nevojshme ndërhyrje ligjore që e lehtësojnë procesin e kërkimit, identifikimit dhe zhvarrimit të viktimave, duke bashkërenduar punën e institucioneve në nivel qendror dhe vendor. Përshtatja dhe përmirësimi i ligjit 45/2015 edhe në këtë drejtim, do ta lehtësonte përfshirjen tonë në proces, jo vetëm sa u takon dokumenteve, por do të ndihmonte familjarët e viktimave për kërkimin e të afërmve, duke u shkurtuar procedurat ndërinsitucionale dhe duke i drejtuar për zgjidhje të shpejtë e konkrete të çështjes, në përputhje me Konventën e OKB për Zhdukjet me Forcë.
- Në mes te debateve për reformën zgjedhore, AIDSSH ka bërë një propozim për ta përfshirë në ligjin zgjedhor e që lidhet me pastërtinë e kandidatëve. Mund të na e sqaroni ku konsiston ky verifikim dhe sa i aplikueshëm është?
AIDSSH ka bërë amendimet e duhura në ligj në kuadër të vlerësimit të pastërtisë së figurës së kandidatëve për deputetë, apo kandidatëve për kryetar bashkie, për qëllime të transparencës gjatë fushatave elektrorale në ligjin 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe variantet përkatëse të propozuara,i janë dorëzuar komisionit të reformës zgjedhore, partive politike dhe Kuvendit.
Po ashtu, ndryshimet në ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, që kërkon kalimin për verifikim në AIDSSH të të gjithë kandidatëve të pushtetit vendor që do të marrin pjesë në procesin zgjedhor, si në poste drejtuese, ashtu edhe për anëtarë të këshillave vendorë.
Kjo do të thotë që kandidatët e propozuar nga i gjithë spektri politik, të njihen nga zgjedhësit edhe për të shkuarën e tyre dhe marrëdhënien me ish-Sigurimin e Shtetit, bazuar edhe nënenet 29, 30 të ligjit. Kjo transparencë rrit besueshmërinë tek institucionet dhe e çon në nivel tjetër garën politike, duke e lënë pas të shkuarën, me synimet për zgjedhje të lira e të ndershme, në respekt të vlerave demokratike e perëndimore.
Në këtë linjë janë edhe disa shtesa e ndryshime të propozuara në ligjin 112/2013 “Për Dekoratat, Titujt e Nderit, Medaljet dhe Titujt Vendorë të Nderit në Republikën e Shqipërisë”, në drejtim të verifikimit paraprakisht nga AIDSSH të pastërtisë së figurës së personit që propozohet për të marrë medalje, dekorata apo tituj nderi.
Pra, personalitetet që do të nderohen në nivel qendror dhe vendor verifikohen sa i takon pastërtisë së figurës, para vlerësimit me tituj nderi. Kemi një përvojë të mirë me disa institucione qendrore dhe bashki, por propozimi i AIDSSH synon që këto ndryshime t’i përfshijë në ligjin tonë organik, për ta bërë 100% të zbatueshëm.
(Neni 29, 30 i ligjit 45/2015)
- A ka pasur ish bashkëpunëtorë që kanë dashur të kërkojnë për veten e tyre?
Po, ka pasur. Por do të doja ta shtjelloja konceptin e bashkëpunëtorit. Sipas platformave të Sigurimit, të cilat i gjeni edhe në faqen issuu të Autoritetit: “Bashkëpunëtorë të Sigurimit janë të gjithë njerëzit e Sigurimit, të padeklaruar botërisht si të këtillë, dhe që shërbejnë ilegalisht (të panjohur) për Sigurimin (rezidentë, informatorë, agjentë, strehues). Në platformën e vitit 1985 thuhet se: “Në rrjetin sekret informativ të Sigurimit të Shtetit dhe sektorëve operativë të policisë popullore tërhiqen shtetas shqiptarë,shtetas të huaj dhe persona pa shtetësi.
Tërheqja në bashkëpunim bëhet mbi baza patriotike, vullnetare, dhe detyrimi dhe kurdoherë për qëllime të caktuara operative…Tërheqja në bashkëpunim mbi bazë detyrimi bëhet në gjendje të lirë ose arresti.” Në dosje ka elementë që tregojnë për njerëz të rekrutuar me detyrim. Për jo pak dëshmohet se nuk kanë dhënë informacione të vlefshme, pra nuk vlejnë si bashkëpunëtorë, edhe pse janë tërhequr me shtrëngim.
Sipas ligjit tonë, 45/2015, “bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit” është çdo person që vërtetohet se ka bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me organet e ish-Sigurimit të Shtetit në veprimtari të karakterit politik, që lidhen me veprat penale politike të parashikuara në ligjin nr. 7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar, për të cilët disponohen dosje, kartela ose regjistrime në indekset e kartotekave të ish-Sigurimit të Shtetit.
Bashkëpunëtorët në polici nuk janë në fushën tonë të veprimit.
Sëfundmi, një prej personave që ka ardhur të tërheqë dosjen e vet, është shprehur i gatshëm të japë dëshminë e vet të tërheqjes në bashkëpunim, me shtrëngim.
Për ta mbyllur, mendoj se personi më i mirë për të vlerësuar veprimtarinë e bashkëpunëtorit është viktima.
- Në Shqipëri ka pasur debat të madh në lidhje me zhdukjen e dosjeve në vitet e para të demokracisë. Keni bërë një llogaritje të këtij dëmi?
Siç është bërë e njohur, shumë dosje janë asgjësuar në vite, sipas procedurave rutinë të Ministrisë së Brendshme. Në prag të ndryshimit të sistemit, udhëzimi i Ministrit të Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, dërguar të gjitha degëve të punëve të brendshme në rrethe për asgjësimin e dosjeve në zotërim, u zbatua nga një pjesë e mirë e tyre. I njëjti operacion “Destroy”, i asgjësimit të dokumenteve të ndryshme të regjimit, u zbatua në të gjitha vendet e Europës Lindore.
Në vitet që pasuan, pati dëme në dosje në periudha të vështira edhe për shtetin shqiptar dhe siç jeni në dijeni, AIDSSH trashëgon sot arkivin e mbetur pas gati 30 vjetësh postkomunizëm.
Meqë ende AIDSSH është në proces të tërheqjes dhe grumbullimit të dokumenteve nga institucionet përkatëse, një shifër e saktë është e pamundur të jepet, por deri më tani, ka një pjesë të konsiderueshme të dokumenteve që pasqyrojnë procesin e veçimit për asgjësim dhe asgjësimin e dosjeve, që janë pjesë e arkivit të AIDSSH.
Numri i madh i dosjeve të asgjësuara natyrisht ndikon në përgjigjet që u japim qytetarëve dhe studiuesve të interesuar.
- Gjatë këtyre viteve në krye të këtij institucioni, çfarë ka diçka që do ta veçonit kur keni takuar një personazh ose një pasardhës të një prej të dënuarve politikë?
Për shkak të detyrës, takimet me ish-të dënuar politikë dhe pasardhës të tyre, personazhe të njohur publikë apo njerëz të thjeshtë, pa bujë, por madhështorë në thjeshtësinë e vet, janë të përditshme.
Përshtypjet janë nga më të ndryshmet. Dëshira për të treguar, nevoja për të hedhur dritë në të shkuarën, për të njohur të paditurën, shkarkimi i barrës së rëndë që mbajnë mbi vete, kërkimi i pandalshëm i të zhdukurve apo dokumenteve që mund t’i ndihmojnë të vërtetojnë përndjekjen e vet dhe të familjes, te fisnikëria që i bën të gjithë bashkë.
Të qenët dinjitoz, të qenët fisnik edhe në vuajtje, edhe në shtypje, edhe në dhimbje e dënim, falja, i bën këta njerëz krejt të përveçëm.
Secili ka një histori që duhet treguar, që duhet të njihet, dhimbje të pathënë, të heshtur, apo sfida të përballuara me kokën lart.
Forca që një pjesë e mirë e tyre ende shfaqin i bën tërheqës, edhe pse vitet kanë kaluar e mund t’i kenë kërrusur. Shoqëria e sotme u detyrohet atyre. U detyrohet, se ata janë themeli ku u mbështet demokracia.
Vetë të mbijetuarit, familjet e tyre, historitë e jetës e të përndjekjes, vuajtjes, veçimit e përjashtimit, për të qenë edhe më të fortë, me mbijetesën, ringritjen, rinisjen nga e para, kërkimine asaj që humbën, të drejtën për të ditur, për të njohur dhe për të vërtetën, përbëjnë bazat e shoqërisë sonë pas viteve ‘90. Një histori që është këtu, ende nuk njihet sa duhet nga e gjithë shoqëria, kryesisht të rinjtë.
Një histori që nuk mund të jetë e shkuar, përsa kohë që nuk tregohet, shkruhet dhe shpërndahet me vërtetësi. Një histori nga e cila duhet të mësojmë, që e shkuara të mos përsëritet.
Materiale shtesë:
Neni 29
Kërkesa për informim mbi zyrtarë përpara emërimit ose ngritjes në detyrë
1. Autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo kërkese të institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike, lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet në kuadër të vlerësimit, sipas legjislacionit përkatës, të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve për t’u emëruar ose ngritur në detyra si:
a) President i Republikës;
b) anëtarë të Këshillit të Ministrave, zëvendësministra, funksionarë politikë, anëtarë të trupës së nivelit të lartë drejtues në administratën shtetërore dhe pozicione të barasvlershme me to;
c) anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë në gjykatat e prokuroritë e të gjitha niveleve;
ç) anëtarë të Gjykatës Kushtetuese;
d) funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, Gardën e Republikës, oficerë me gradën “Gjeneral” dhe “Kolonel”;
dh) prefektë;
e) drejtues dhe punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror, Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes dhe çdo njësie tjetër të inteligjencës;
ë) drejtues në Policinë e Shtetit deri në nivel qarku dhe komisariati;
f) drejtues të përfaqësive diplomatike;
g) guvernatorë dhe zëvendësguvernatorë të Bankës së Shqipërisë;
gj) anëtarë të Akademisë së Shkencave, rektorë, zëvendësrektorë, dekanë, zëvendësdekanë në universitetet publike;
h) Drejtor i Përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorë të Radiotelevizionit Publik Shqiptar;
i) Drejtor dhe Zëvendësdrejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare;
j) çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti apo i zgjedhur nga Kuvendi.
2. Autoriteti i përgjigjet institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike për zyrtarin që emërohet ose ngrihet në detyrë, përkatësisht nëse:
a) ka qenë ose jo person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm;
b) ka qenë ose jo bashkëpunëtor aktiv i ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
c) figuron ose jo në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
3. Institucionet kombëtare dhe autoritetet publike, në kuadër të transparencës dhe në funksion të vlerësimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të zyrtarëve, përpara emërimit ose ngritjes në detyrë, udhëhiqen nga parimi i mosndëshkimit kolektiv dhe respektimit të të drejtave dhe interesave të individit.
4. Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike kur ata kanë marrë certifikatën e pastërtisë së figurës nga institucionet përgjegjëse, sipas ligjit nr. 8001, datë 22.9.1995, “Për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare”, si dhe ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995, “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”.
Neni 30
Kërkesa për informim nga kandidatë për t’u zgjedhur
1. Autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet, sipas pikave 2 dhe 3, të nenit 29, të këtij ligji, çdo kërkese të paraqitur nga kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarë bashkish dhe kryetarë këshilli qarku, në lidhje me ekzistencën për ta të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet prej tyre për qëllime të transparencës së figurës, gjatë fushatave elektorale.
2. Kur kjo kërkohet nga subjektet dhe për qëllimin e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, Autoriteti i informon ato, sipas pikës 2, të nenit 29, të këtij ligji, për personat që në periudhën e përcaktuar në nenin 2, të këtij ligji, figurojnë si:
a) anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese posaçme politike, apo punonjës i nivelit të lartë i ish-Sigurimit të Shtetit;
b) bashkëpunëtor aktiv i ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, apo denoncues ose dëshmitar i akuzës në proceset të posaçme, pas mbushjes së moshës 18 vjeç;
c) persona me të dhëna nga ish-Sigurimi i Shtetit për spiunazh dhe terrorizëm.
3. Kur dokumentet përmbajnë të dhëna personale mbi të prekur të tjerë apo palë të treta, zbatohen pikat4 dhe 5, të nenit 20, të këtij ligji.