Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshti tek gratë. Ai mund të gjendet në çdo moshë, por shumica e rasteve gjendet në gratë në moshë mbi 50 vjeç. Kanceri i gjirit mund të gjendet dhe tek burrat por është shumë i rrallë. Por ka një shpresë se kanceri i gjirit mund të zbulohet në faza të hershme dhe të trajtohet. Në një intervistë për Tirananews.al, pikërisht në muajin e luftës kundër kancerit të gjirit mjekja onkologe Anila Pema tregon se cilët janë faktorët e riskut, si të kontrollohemi para se të prekemi nga kjo sëmundje, por edhe si ta përballojmë emocionalisht kancerin e gjirit. “Një grua e shëndetshme sjell një familje e shoqëri të shëndetshme. Mos kini frikë! Depistohuni! Ne gratë nuk e dimë sa të forta jemi deri të jesh e fortë është e vetmja mundësi që kemi.”, shprehet mjekja në apelin e saj për të gjitha gratë.
Përse beteja me luftën ndaj kancerit të gjirit është kaq e vështirë në shumë raste, çfarë kanë gratë në dorë që sëbashku me mjekët duket të bëjnë në mënyrë që të mos kemi kaq shumë humbje jete?
Për shkak të incidencës së lartë në gra ai mbetet gjithashtu dhe shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri tek gratë. Pavarësisht përmirësimit të vazhdueshëm të metodave trajtuese të kancerit të gjirit ende ai vazhdon të marre jetë. Dhe duke qenë se gruaja është baza e familjes çdo vdekje ka impakt të rëndësishëm në shoqëri. Vdekshmëria është e lidhur ngushtë me stadin në të cilin kapet sëmundja. Pra nëse në stadin e parë mbijetesa 5 vjeçare është mbi 90 % , stadin e katërt ajo bie në 15%. Ajo që gratë kanë në dorë është të dëgjojnë trupin e tyre, t’u vënë veshin ndryshimeve të gjirit e të marrin pjese aktive në depistim. Sepse kujdesi dhe ndërgjegjësimi shpëton jetë.
Çfarë është estrogjeni dhe përse pjesa më e madhe e kancereve të gjirit kanë lidhje me hormonin estrogjen?
Çdo grua posedon hormonet femërore që i japin asaj feminilitetin, mëmësinë. Gjiri është një organ i ndikueshëm nga hormonet e gruas. Indi mamar ka receptorë për hormonet femërore estrogjen dhe progresteron. Kjo lidhje bëhet e qartë gjatë ciklit menstrual apo gravidances që shoqërohet me ndryshime ne gji. Nëse gruaja zhvillon një kancer gjiri ne 70% të rasteve qeliza tumorale paraqet ngjashmëri me qelizën normale duke reflektuar kështu edhe praninë e receptorëve hormonale të cilat funksionojnë si katalizatore të proliferimit qelizor. Kështu që qofte hormonet femërore të prodhuar nga vezoret në periudhën fertile të gruas apo dhe hormonet femërore të sintetizuara në indin dhjamor të gruas nëpërmjet enzimës aromataze ndikojnë ne rritjen tumorale. Prandaj edhe terapia hormonale është një nga shtyllat bazë të mjekimit. Në këtë kontekst studime të ndryshme i vënë theksin edhe përmirësimit të dietës ushqimore duke minimizuar yndyrat shtazore apo edhe praninë e hormoneve në produktet e bulmetit.
Po si ta kuptojmë kancerin e gjirit, si bëhet vetë – kontrolli i gjirit, dhe kur duhet të shkojmë tek mjeku?
Në momentin që gruaja e dedekton praninë e kancerit vetë kanceri ka arritur përmasa mbi 1-1,5cm .Ajo që është e rëndësishme, ajo ku vihet theksi edhe ne programet depistuese është mundësia e kapjes se sëmundjes në stad subklinik pra pa pasur një mase të prekshme por vetëm lezione në mamografi apo echo. Në këto raste shanset per shërim të plotë janë mjaft te larta. Sidoqoftë njohja e gjirit nga gruaja, vetëkzaminimi mujor në dush mbeten gjithashtu elemente të vyer të diagnozës së hershme.
Cilët janë faktorët e riskut për kancerin e gjirit?
Çdo grua është e rrezikuar për kancer gjiri.
Faktorë rreziku per kancerin e gjirit janë :
• Mosha mbi 50 vjeç;
• Pasja e një kanceri gjiri më pare;
• Histori familjare të kancerit të gjirit (veçanërisht me nënën, motrën ose vajzën) të diagnostikuara përpara menopauses;
• Ndryshimet gjenetike prezente me genet BRCA1 ose BRCA2;
• Histori familjare me kancer të ovarit ;
• Femrat që nuk kanë lindur fëmijë ose lindjen e parë e kanë bërë në moshë më të madhe se 30 vjeç;
• Menstruacione në moshë shumë të hershme, para 12 vjeç;
• Menopauzë pas moshës 50 vjeç;
• Përdorimi i mjekimit me hormone (estrogjen + progesteron) për një kohë të gjatë, më shumë se 5 vite;
• Densitet të shtuar të indeve të gjirit (e dukshme në një mamogram);
• Një histori e një biopsie gjiri që tregon një numër të rritur të qelizave jonormale që nuk janë kanceroze (hiperplazi atipike);
• Trajtimi me rreze të sipërfaqes së gjirit, veçanërisht para moshës 30-vjeçare, p.sh., trajtimi i limfomave Hodgkin;
• Mbipesha dhe obeziteti, sidomos në menopauzë;
• Përdorimi i alkoolit;
• Duhanpirja;
• Marrja e kontraceptivëve nga goja e pakontrolluar nga mjeku;
• Dieta dhe ushqimet e pasura me yndyrna shtazore;
• Moskryerja e aktivitetit fizik.
Cilat janë këshillat që do t’i jepni ju një gruaje të diagnostikuar me kancer gjiri?
Një gruaje të diagnostikuar me kancer gjiri do t’i rekomandoja të kujdesej për veten. Të jetë e rregullt në trajtim, të ushqehet shëndetshëm, të flinte mirë të bënte jetë aktive, të kërkoj mbështetje te familja e shoqëria, të ulte stresin, të jetonte jetën.
Jemi në muajin e ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, cili është apeli juaj për këtë vit?
Apeli im për ketë vit të vështire është dëgjojeni trupin tuaj. Një grua e shëndetshme sjell një familje e shoqëri të shëndetshme. Mos kini frikë. Depistohuni.
Ne gratë nuk e dimë sa të forta jemi deri të jesh e fortë është e vetmja mundësi që kemi./ Tirananews.al