Çdo brez ka këngëtarët e preferuar në moshën rinore dhe sigurisht që i kujton me nostalgji ato momente kur ata rikthehen sërish pas shumë vitesh mungesë. Këtë mund ta themi për të rinjte e viteve 2000, kur Erion Korini ishte një ndër më të preferuarit e kohës, me hitet si “Kush ka faj”, “Vajzat”, “Të ndjej” etj.
“Verë e largët” e Erionit na e riktheu këngëtarin, i cili pavarësisht mungesës së gjatë dhe ndryshimit të trendeve muzikore i qëndron besnik mënyrës së tij të të kënduarit, me tekste plot kuptim dhe videoklip që të çon në një udhëtim vere që të kënaq shpirtin.
Në një intervistë për tirananews.al, Erioni thotë se riktheu një pjesë të këngës së tij që ka qënë hit në ato vite jo për t’u përfshirë nga trendi i kohës, por siç thotë dhe vetë nuk donte “që atë melodi dhe ato fjalë të mbuloheshin nga prurjet e kohës dhe nga vërshimi i poezive të dobëta që dëgjojmë sot rëndom në shumë këngë të cilat sinqerisht me duken fyese për një mendje të shëndoshë”.
Çfarë ka bërë Erion Korini gjatë kësaj periudhe pauze nga muzika dhe projektet për të ardhmen i zbulojmë në intervistën më poshtë:
Erion Korini, një nga emrat e muzikës që na ka munguar disa vite. Si e keni kaluar këtë periudhë pauze Erion?
E kam kaluar duke eksploruar çfarë ndodh përtej këngës, jetës së natës dhe të jetuarit një botë që të mban larg së vërtetës. Dhe përtej asaj jete që beja në kohën e hiteve të mia apo aktivitetit tim normal me këngën gjeta një profesion që deri në atë kohë e kisha parë si hobi , leximin e reklamave dhe dublimin e dokumentareve. Fillova të punoja në disa agjenci të këtij profili deri sa një ditë njihem me zotin Ndroqi, presidentin e Yldon Media Group i cili me propozon të jem zëri zyrtar i Tv Ora News. Gjatë periudhës 10 vjeçare në këtë televizion tashmë më ngarkuan edhe me detyrën e drejtorit të Radio Ora News post të cilin e mbaj edhe sot . Por shkëputja ime nga muzika shpesh me përballte me kritika nga miq dhe familjar që nuk e kanë dëshiruar këtë shkëputje, kështu që vendosa pas kaq shumë kohësh të sjell një material modest të kënduar mirë besoj nga une dhe Greisi dhe me një klip larg trendit të videove të sotme ku shohim femra, pije dhe makina luksoze, thjesht ne dhe natyra.
“Verë e largët” më sjell ndërmend këngën tuaj të shumë viteve më parë “Të ndjej”, një ndër baladat më të bukura të asaj kohe. Pse vendoset në projektin e ri të ktheni një pjesë të atij teksti? Një trend i këtyre kohëve apo diçka tjetër?
Jo nuk ishte per shkak të trendit por kjo këngë që risolla në duet kishte një tekst të bukur nga poeti Demir Gjergji dhe unë nuk doja që atë melodi dhe ato fjalë të mbuloheshin nga prurjet e kohës dhe nga vërshimi i poezive të dobëta që dëgjojmë sot rëndom në shumë këngë të cilat sinqerisht me duken fyese për një mendje të shëndoshë, t’u ofrosh njerëzve sot tekste me 5 fjalë që edhe ato pa kuptim, kjo është tallje e cila çuditërisht gjen përkrahje nga masa. (Vijon poshte kenges)
Një kombinim perfekt zërash i juaji dhe i Greis. Si e gjetët njëri-tjetrin për këtë projekt?
Greisi ka vërtet një zë të veçantë dhe zë nga ata që të bën për vete sapo e dëgjon. Njohja me Greisin nuk është rastësore sepse e njoh që të vockël fare pasi është vajza e shokut tim Gramoz Kozelit kompozitorit të shumë këngëve të dëgjuara shqiptare, kështu që ne filluam ta mendonim për ta patur një duet për qefin tonë në momentin kur Greisi filloi të frekuentonte studion e babait të saj, aty lindi edhe ideja sepse dëshira nuk mungonte.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen? A mund të themi që “Erioni is back” me projekte të tjera muzikore?
Të them të drejtën nuk kam plane por dëshira për të sjellë këngë të tjera nuk më mungon kështu që besoj se do të ketë nga vjeshta edhe ndonjë këngë pasuese edhe pse të rivish në tregun e muzikës pas kaq shumë kohësh sheh që gjërat kanë ndryshuar , tani nuk flitet më për zërin dhe poezi të mira por për klipe dhe view në youtube . Teknologjia në këtë fushë mendoj që më shumë se sa ndihmoi e ka shkatërruar orientimin drejtë gjërave cilësore.
Kënga juaj me Greta Koçin “Kush ka faj” vijon të mbetet një ndër këngët e preferuara, gjithashtu kujtojmë këtu “Vajzat” etj. Do kemi ndonjë remake të tyre?
Jo, mendoj se dua të vij me të paktën 3 këngë të reja nëse më mban ky frymëzim që kam këto kohë, kurse për remake mendoj se do të jetë pak më vonë . E rëndësishme është të sjell këngë të mira qofshin ato kompozime të reja apo remake./ tirananews.al
