Babai i Teqesë së Bllacës, Ismail Jangulli, nuk jeton më. Ai ishte një klerik interesant në rrëfimet e tij. Një ish pastiçier i talentuar në qytetin e Bulqizës, i dënuar për agjitacion e propogandë për dhjetë vjet, më tej një “djalë” i adaptuar nga një familje e nderuar në Mat dhe për shumë vite, në demokraci, Baba i njërës nga Teqetë më të njohur në Bulqizë, asaj të Bllacës.
“Kam punuar për 27 vjet si pastiçier në ish Ndërmarrjen Tregëtare të Bulqizës. Pata krijuar marrëdhënie mjaft të mira me drejtuesit e ndërmarrjes dhe klientët, por krejt pa pritur 5 ish kolegë dhe bashkëfshatarë me denoncuan në hetuesi, duke thënë se unë kisha folur kundër Enver Hoxhës, regjimit të kohës dhe kisha ngritur lart Zotin, duke kritikuar shembjen e kulteve fetare në vitin 1967”. Këtu nisin problemet për djalin nga Valikartha e Dibrës. Këtu nis kalvari i vuajtjeve, për të mbaruar në vitin 1997, kohë kur Kryegjyshata Botërore e emëron Baba të Teqesë së Bllacës. Teksa kujton momentet e dënimit me 10 vjet burg në Spaç të Mirditës ai sqaron se dëshmitarët i thanë trupit gjykues së Ismail Jangulli ka thënë: “Enver Hoxha vdes e Zoti nuk vdes”, “Hazret Aliu nuk vdes kurrë”. “Nuk arrita të mbrohem sepse vërtetë kështu isha shprehur me kolegët e punës në ndërmarrje, me njerëz të afërm dhe me bashkëfshatarët e mi. Unë kështu kisha thënë se nuk munda të argumentoj të kundërtën, apo të mohoj ato që pata deklaruar”-thotë Baba Ismail Jangulli.
Një tjetër jetë për Jangullin pas daljes nga burgu. Atë e kërkon familja e B. Lleshit nga fshati Dom i rrethit të Matit për të banuar në shtëpinë e tij. I krijon lehtësi për shtëpi, i jep tokë dhe e mban mjaft afër. “Për mua B. Lleshi është babai im. Më krijoi mundësi të strehohem në shtëpinë e tij për 12 vjet, nga viti 1985 deri në vitin 1997 kur u caktova Baba i Teqesë së Bllacës. Në Dom jam trajtuar aq mirë, unë dhe tre fëmijët që kisha me vete, sa nuk do ta harroj derisa të vdes. B. Lleshi ishte një burrë i zgjuar, bujar dhe punëtor”. Pas vitit 1997 u vendosa në Bllacë, në Teqenë më të mirë në vend, ndërkohë dy djemtë e mi, Sulejmani dhe Moisiu banojnë ende në Dom. Në mendje të Jangullit ka mbetur shprehja “lapidar” e B. Lleshit: “O tri pëllëmbë mbi shokë / o shtatë pëllëmbë nën tokë”. Ajo për të cilën Jangulli është i brengosur dhe nuk do ta harrojë kurrë është vrasja e djalit të tij gjatë kohës që ai vuante dënimin në burgjet shqiptare. “Ma vranë “forcat e errëta”, kujton Jangulli atë shprehjen e famshme që doli në vitet e para të demokracisë.
A u përfshitë Ju Baba në proçeset demokratike pas vitit 1990-të?
Patjetër. Mua regjimi komunist më kishte dënuar me 10 vjet burg vetëm për një fjalë goje, për një bindje që kisha që në atë kohë. Kam ndjekur mitingjet e para të Partisë Demokratike në rrethin e Matit dhe në gjykimin tim “komunizmi është vetë jeziti” dhe nuk e kam mbështetur dhe as nuk e mbështes kurrë.
A ishit në strukturat e Partisë Demokratike asokohe?
Po, demokratët e fshatit Dom më patën zgjedhur sekretar të grupseksionit. Shkoja në çdo mbledhje që zhvillohej në qytetin e Burrelit. Kryetar ishte Hysen Kuka një intelektual me ndërgjegje të lartë, ndërkohë i deleguar vinte shpesh Azem Hajdari. E kam njohur nga afër dhe e kam dashur fort.
Ndonjë episod nga tubimet e para?
Aktivitetet e degës lokale të PD-së në qytetin e Burrelit ishin të shumta. I pranishëm ishte herë pas here lideri i dhjetorit Azem Hajdari. Do t’ju kujtoj një episod. Ishin mitingjet e para kundër diktaturës. Njerëz të lidhur me pushtetin e kohës na sulmonin me ç’të mundnin. Gjuanin me gurë, shkopinj e mjete të tjera edhe mbi Azem Hajdarin. Kemi qenë mbi 40 burra në Turizëm “Mati” kur iu drejtova Azemit me fjalët: “Do të vritesh Azem, përherë “ujkun” e fortë e eleminojnë”. Ai m’u përgjigj: “Mos u tremb xhaje se nuk kanë çfarë t’më bëjnë, më mbron populli dhe demokratët e ndershëm. Unë nuk kam frikë se po luftoj për të drejtat e njerëzve, të mohuara për 50 vjet nga regjimi komunist”. Të pranishëm në atë takim kanë qenë shumë demokratë të Matit.
Pse ia the këto fjalë Azem Hajdarit?
Kur shihja njerëz që e sulmonin dhe yryshin që ai kishte marrë m’u krijua bindja se diçka e keqe do t’i ndodhte atij. Matjanët e pranishëm në takimin që i thashë Azemit se do të vritesh më thanë se bëra gabim dhe nëse atij do t’i ndodhte dicka e keqe do të kisha përgjegjësi. Pa ngjarjes, kur takoja themeluesit e PD-së Mat dhe të pranishmit në ato takime më thonin: “Po ti nga e dije se Azemi do të vritej”. Unë asokohe nuk ishte “graduar” Baba, por isha një antar partie dhe një predikues i rregullt i fesë.