Garda Revolucionare e Iranit kapi të martën një dron lundrues amerikan në Gjirin Persik dhe u përpoq ta merrte duke e tërhequr me vete, por e lëshoi kur u afrua një anije luftarake e Shteteve të Bashkuara së bashku me një helikopter, thanë zyrtarët amerikanë.
Ky incident përfaqëson herën e parë që Irani vendos në objektiv njësitë me dronë të Flotës së 5-të amerikane që është stacionuar në Lindjen e Mesme.
Megjithëse situata u tejkalua pa incidente, tensionet vazhdojnë të jenë të larta ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit, ndërkohë që vazhdojnë negociatat e fuqive botërore me Iranin mbi marrëveshjen për programin e tij bërthamor.
Anija e gardës iraniane “Shahid Baziar” lidhi një kavo tek droni “Saildrone Explorer”, në pjesën qendrore të Gjirit Persik në ujërat ndërkombëtare, gjatë orëve të vona të së hënës, tha Komandanti Timothy Hawkins, zëdhënës i Flotës së 5-të amerikane. Në vazhdim anija filloi ta tërheqë me vete dronin brenda të cilit ndodhen kamera, radarë dhe sensorë të ndryshim për monitorimin nga larg të deteve, tha zoti Hawkins.
“USS Thunderbolt”, një anije patrulluese e marinës amerikane, si dhe një helikopter MH-60 Seahawk, filluan të ndjekin anijen e gardës iraniane. Ata i komunikuan në radio anijes iraniane se droni që po tërhiqte ishte amerikan, tha zoti Hawkins.
“Reagimi ynë ishte i tillë që e bëri të qartë se ishte pronë e qeverisë amerikane dhe se po vepronte në ujëra ndërkombëtare dhe se synonim të ndërmerrnim të gjitha veprimet që mund të nevojiteshin”, i tha ai agjensisë së lajmeve Associated Press.
Zoti Hawkins tha se incidenti u mbyll paqësisht pas gati katër orësh. Iranianët shkëputën kavon nga droni dhe iu larguan zonës, ndërkohë që forcat amerikane qëndronin në afërsi.
Gjenerali amerikan Michael Kurilla, i cili drejton Komandën Qendrore, lavdëroi ekuipazhin e anijes amerikane Thunderbolt për reagimin.