Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian Isabel Santos, në fjalën e saj ditën e sotme (18 Maj) është shprehur se Shqipëria i ka respektuar të gjitha kushtet për të avancuar me negociatat për integrimin evropian.
Më tej ajo u shpreh se Shqipëria nuk duhet të mbahet peng i diskutimeve të palëve të treta, ndërsa shtoi se vendi ynë nuk ka qëndruar duarkryq dhe ka përparuar në rrugën drejt integrimit evropian.
Isabel Santos: Komisioni Evropian e ka konfirmuar vazhdimisht që në fund të vitit 2019 se Shqipëria i ka respektuar të gjitha nevojat për të avancuar me negociatat për sa i përket integrimit evropian. Në relacionin e komisionit për vitet 2019-2020 është bërë i qartë rekomandimi për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ne të gjithë e njohim këtë pikë, që është e nevojshme të procedohet për mbajtjen e konferencës së parë.
Tani kemi arritur pothuajse në mesin e vitit 2022 dhe Shqipëria vazhdon të presë. Por vendi nuk ka ndenjur me duart kryq, ka vazhduar të përparojë në rrugën drejt integrimit evropian. Shqipëria dhe Maqedonia e veriut duhet të bëjnë akoma një proçes të gjatë reformash por duhet të shkojnë përpara dhe Shqipëria nuk duhet të jetë pjesë e diskutimeve të palëve të treta.