Renato Kurti, djali i ish-boksierit dhe trajnerit të Tiranës Skënder Kurti ka rrëfyer në “Me Zemër të Hapur” momentet e dhimbshme për të atin. Ai tha se rikthimi në jetë i të atit, dy javë para se të ndërronte jetë ishte një mrekulli e zotit.
Krahas të atit, e infektuar ishte dhe e ëma e tij e cila qëndroi dy javë në spital. Renato thotë se një ditë pasi e ëma doli nga spitali Neri, siç e njihnin të gjithë ndërroi jetë. “Ditën që ka dalë mami ka dhënë shpirt babi, sikur e ka prit i shkreti të bëhej mirë mami”, rrëfen Renato.
Ai nuk e di se nga e morën infeksionin prindërit e tij. Në ceremoninë mortore është respektuar protokolli aktual dhe ka qenë vetëm ai dhe i vëllai që e kanë përcjellë për në banesën e fundit. Ai ka falenderuar të gjithë për mesazhet që iu kanë dërguar për të atin. Ai tha se fiku telefonin për të mos marrë vesh orën e varrimit, pasi tha se do të vinin shumë veta.
