Sot Partia Demokratike zhvillon zgjedhjet e brendshme për të zgjedhur me votë shefin e selisë blu për katër vitet e ardhshme.
Në garë për të drejtuar partinë e dytë më të madhe në vend janë kreu aktual i PD, Lulzim Basha, dhe tre demokratë të tjerë Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj.
Situata në selinë blu është polarizuar, pasi shume prej mbështetësve të Bashës mendojnë se beteja politike e demokratëve për të ardhur në pushtet duhet të vijojnë pikërisht me të, ndërsa të tjerët mendojnë në mënyrë kategorike se partia duhet të ripërtërihet pas 3 humbje radhazi të Bashës në zgjedhje.
Mendimin për largimin e Bashës e ndan edhe ish deputeti demokrat, Fatos Hoxha.
Përmes një fotoje të publikuar në rrjetin social facebook, Hoxha ironizon kryedemokratin duke postuar një meme.
“PD ka nevojë për një kuzhinier. Sot do zgjedhë për 4 vitet e ardhshme një kamarier”-shkruan ai krahas fotos.
Sot anëtarësia e PD në të gjithë vendin do të votojë mes katër kandidatëve për të zgjedhur kreun e ri të partisë.
Janë 75 mijë anëtarët e PD, që pritet t’i drejtohen 76 qendrave të votimit të ngritura në të gjithë vendin, përmes të cilave ata do të ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarin.

