Dikur vishte fanellën kuqezi të përfaqësueseve të moshave të Shqipërisë, deri me U21, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Por këto ditë, mesfushori 25-vjeçar, Klodian Gjino, ka vendosur të veshë fanellën e përfaqësueses së Greqisë. Duke filluar me atë të ushtrisë greke, siç bëri pak kohë më parë edhe Fiorin Durmishaj në hapin e parë për t’u natyralizuar si grek.
Mesfushori beratas i cili në vitin e kaluar ka luajtur 20 ndeshje në Superligën Greke me Apollon Smirnis, ka filluar procesin e pajisjes me pasaportë dhe si “shërbim ushtarak” ndaj shteti grek, është bërë pjesë e përfaqësueses së ushtrisë së këtij vendi në disa ndeshje që janë zhvilluar së fundmi.
Ai nuk ka qenë i vetmi. Edhe Gertin Hoxhalli, ish-mesfushor i përfaqësueses shqiptare U19 ka ndërmarrë të njëjtën rrugë, duke luajtur me fanellën e Greqisë për të përshpejtuar pasaportizimin e tij në këtë vend, ku është pjesë e AEL Larisës.
Në vitet e fundit, kanë qenë të shumtë futbollistët shqiptarë që kanë ndërmarrë këtë rrugëtim duke iu bashkuar ekipit të ushtrisë për t’u pajisur me pasaportë. Por edhe në vetë mediat greke, rasti i Gjinos është cilësuar si i veçantë, pasi ashtu si Durmishaj para tij, ai ka luajtur në elitën e futbollit në këtë vend dhe ka eksperiencë ndërkombëtare falë paraqitjeve që ka bërë me Shqipërinë