Në një intervistë ish presidenti Bamir Topi thotë se është detyrim kushtetues që pa kushte dhe alibi të zbatohen opinionet e Venecias.
Duke folur për “Telegraf” Topi, duke iu referuar fenomenit “Dvorani”, thotë se karta e personave që përdoren nga politika, përherë kanë fundin e hidhur të zhvlerësimit dhe hedhjen pa mëshirë të çdo individi të përdorur.
Ish presidenti Topi, nuk shpreh asnjë optimizëm për marrëveshjen zgjedhore, shprehet se kjo marrëveshje nuk e garanton votën e lirë nga manipulimi, sepse në fakt janë të njëjtët autorë e aktorë të masakrimit të zgjedhjeve. Nuk po bëjnë gjë tjetër, por vetëm po mundohen të ndërtojnë një mënyrë të re për atë që nesër do të quhet një proces zgjedhor i manipuluar, ku një forcë do marrë qeverinë dhe tjetra do akuzojë sërish për vjedhje votash dhe hapje kutish.
Pjesë nga intervista
Zoti President, derisa Komisioni i Venecias dha opinionet, në bazë të kërkesave të përcjella nga Presidenti i Republikës të Shqipërisë, nga Kryetari i Kuvendit dhe nga Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar (Ulsi Manja), a duhet që institucionet Kushtetuese në Shqipëri, (Presidenca, Parlamenti shqiptar, Qeveria) t’i respektojnë këto opinione?
– Padyshim që po. Shqipëria prej kohësh po përjeton një situatë krejt të veçantë dhe të papranueshme lidhur me mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Në këto kushte çdo nevojë për të zgjidhur çështje të karakterit kushtetues dhe përplasjen midis institucioneve duhet ta adresojmë tek “Venecia”. Në kohën kur u thirr në ndihmë Komisioni i Venecias, palët politike kanë shprehur besim tek verdikti i saj. Tani, që Komisioni i Venecias ka dhënë opinionin, politika shqiptare e në mënyrë të veçantë Kuvendi i Shqipërisë, duhet të jetë i pari që duhet të koordinojë veprimet për risjelljen në normalitet të punës, pasi të gjithë pushtetet e tjera prodhohen pikërisht aty. Nuk ka dhe nuk mund të ketë alibi, ndërkohë çdo ditë që kalon pa Gjykatë Kushtetuese na bën gjithnjë e më shumë një shtet qesharak pa shokë të ngjashëm.
“Nuk ka dhe nuk mund të ketë alibi nga institucionet shtetërore dhe kushtetuese për moszbatimin e opinioneve të Komisionit të Venecias, ndërkohë çdo ditë që kalon pa Gjykatë Kushtetuese, na bën gjithnjë e më shumë një shtet qesharak”
– Kush e pengon akoma ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, (kujt i intereson mosfunksionimi i saj), edhe pse kjo është një nga kushtet primare të PE-së, KE-së dhe Budenstag-ut gjerman për hapjen e negociatave?
– Tanimë kanë kaluar vite pa Gjykatë Kushtetuese. Bëni një pyetje vetes: Cili ka bërë ligjëratat më të forta për nevojën e asgjësimit të kësaj Gjykate dhe nevojën e nxjerrjes së djallit prej andej? Cili ka patur detyrimin parësor për rigjenerimin dhe rindërtimin e Kushtetueses? Cilit i ka interesuar të mos kishte supervisor kushtetues për ligje e vendime të dyshimtë dhe favorizuese në ushtrimin e pushtetit absolut? Përgjigjja del vete. Mjafton një arsyetim normal, pa qenë nevoja të vuash shumë për të gjetur përgjigjen: KRYEMINISTRI, që është i dashuruar marrëzisht me pushtetin e tij pa kufi. Sado të ketë përgjegjësi tek të tjerët, janë minimale përballë asaj çka shpreha më lart.