Ish-truproja i Sajmir Tahirit pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë. Burime për tirananews.al bëjnë me dije se Paul Deda , ish-truprojës së Tahirit, i është refuzuar kërkesa për azil politik në shtetin francez ku ishte vendosur prej afro 3 vitesh me familjen.
Deda pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë pasi është shpallur në kërkim nga SPAK, si i akuzuar për pjesëmarrje në trafikim të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë në bashkëpunim me kolegun e tij dhe drejtues të tjerë të policisë.
A rrezikohet më tepër Z.Tahiri nga ekstradimi i ish- truprojës së tij?
Kujtojmë se ish-ministri i u dënua më 4 Shkurt 2022 me 3 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre, edhe pse mbi të rëndonin dhe akuza të tjera si trafikim i lëndëve narkotike në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Nëse Deda do të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë kundër ish-ministrit të brendshëm, pritet që të dalin fakte të reja duke zbardhur gjithë skemën e asaj që cilësohet si kanabizimi i vendit në vitin 2016 si dhe aferat e tjera në të cilat mund të jetë i përfshirë dhe ish-ministri Tahiri ose njerëz të tjerë të veshur me pushtet.
Kujtojmë se ish-truproja e Sajmirit Tahirit, Paul Deda nëpërmjet një interviste të dhënë pak kohë më parë ka mohuar të ketë dijeni dhe të jetë i implikuar në këtë aferë, duke theksuar se nuk ka asnjë provë që e implikon dhe se akuzat ndaj tij janë për shkak të detyrës që ai ka mbajtur si shoqërues i ish-ministrit Tahiri.
Me ekstradimin e mundshëm të Paul Dedës dhe dëshminë e tij kundër ish-ministrit, pritet të kemi zhvillime të reja të bujshme. Mbetet për t’u parë nëse ai do të ketë besim të bashkëpunojë duke ditur që më herët ka shprehur pasiguri përsa i përket jetës së tij dhe sigurisë së familjes./ tirananews.al
