Ish zv.Kryetar i FRPD Lisandër Hoxha ka hedhur dyshime për një takim të mundshëm të kreut të PD, Lulzim Basha me kryeministrin Edi Rama në Rinas, pasi të dy takuan komisionerin për zgjerimin Oliver Varhelyi.
“Unë dyshoj se janë takuar në Rinas vetëm për vetëm. Basha me Ramën. Nëse Rama ka një ofertë për Bashën ta bëjë publike. Nëse ka ofertë konkrete politike për të djathtën të dalë ta bëjë publike dhe të shqyrtohet nëse është më e mirë për shqiptarët.
Nëse flitet për miratim ligjesh, po. Çdo gjë që i bën mirë Shqipërisë, po. Nëse flitet për marrëveshje të fshehta unë të jap këtë ti më jep atë. Unë jam pro të parës dhe kundër të dytës”, tha Hoxha në një intervistë për Report tv.
Po ashtu, duke iu referuar deklaratës së fundit të Bashës i cili tha se i mirëpret kritikat brenda PD, Hoxha shtoi se kryedemokrati nuk e ka mbledhur kryesinë e partisë që nga qershori i vitit 2020.
“Parashtrova mënyrën si duhet të shkonim drejt bashkimit. Vërtetë ka pasur probleme procesi zgjedhor, s’është problem që lindi dje. U krijua një klimë mosbesimi e brendshme që vrau klimën e kolegjialitetit që shkohet drejt fitores, u ndoq uni. E vrau Basha.
Basha thoshte jam i hapur për të dëgjuar kritika por ka që në qershor 2020 që ska mbledhur kryesinë. PD është forcë e madhe ka njerëz me impakt të jashtëzakonshëm. Mendoj se ky është momenti. Duhet të ngrihemi mbi parime të reja”, tha ai.