Një 32-vjeçar humbi jetën në mënyrë tragjike mbrëmjen e të hënës në Sarandë.
Siç mësohet nga raportimet e para bëhet fjalë për 32-vjeçarin Klement Kristidhi, i cili ishte emigrant në Gjermani, dhe ishte kthyer pas 6 vjetësh në Shqipëri.
“Më datë 15.03.2021, rreth orës 21:30, në aksin rrugor Krane-Konispol, shtetasi K. K. ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe për pasojë mjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë ka ndërruar jetë drejtuesi i mjetit, shtetasi K. K., ndërsa pasagjerët që ndodheshin në ketë mjet, shtetasit A. M., Sh. M. dhe A. G., janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore”, thotë policia.
Arjan Gribura, 31 vjeç, ka pësuar frakturë në shtyllën kurrizore, frakturë të dorës së majtë dhe të djathtë si dhe frakturë në këmbën e majtë. Agron Muhametaj, 22 vjeç, ka pësuar shumë lëndime dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës.
Ndërsa, Shkëlqim Muhametaj, 31-vjeç, nuk ka pësuar lëndime të shumta dhe ndodhet në spitalin e Sarandës. Raportohet se të katërt, janë banorë të fshatit Mursi, bashkia Konispol.
