Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se vendimi për datën e zgjedhjeve brenda PD u votua unanimisht nga Këshilli Kombëtar, si nga ata që kërkonin dorëheqjen e Bashës, por edhe ata që mbronin vazhdimin e kryetarit dhe ndaj ai vetë preferoi që të mos shprehej.
Por përmes një postimi në profilin e tij, Arben Ristani i kundërpërgjigjet Berishës duke deklaruar se është i keqinformuar, pasi KK nuk diskutoi dhe as votoi për datën e zgjedhjeve.
Ristani nënvizon se sot më shumë se kurrë PD ka nevojë për të vërtetën.
Postimi i plotë:
Dje, z. Berisha, në lidhje me hapjen e garës për kryetar të PD dhe caktimin e datës 13 qershor për votim ka deklaruar se:
“Padiskutim duhej bërë një analizë serioze e të gjithë veprimtarisë së Partisë Demokratike. Nuk kam qenë kundër as të parës dhe as të dytës, por një votim të cilin e voton Këshilli Kombëtar, si ata që kërkonin dorëheqjen e Bashës, por edhe ata që mbronin vazhdimin e kryetarit, atëherë unë në këtë rast preferova që të hesht. Mos të merrem me çështjen. Sepse vendimi ishte unanim”
Do doja të sqaroja se z .Berisha, së paku, është i keqinformuar.
KK nuk diskutoi dhe as votoi për datën e zgjedhjeve.
Pas deklarimit nga Sekretari i Përgjithshëm dhe z. Basha, se caktimi i datës ishte vendim i Kryesisë dhe data ishte vendosur nga Kryesia, KK votoi vetëm përbërjen e Komisionit të organizimit të zgjedhjeve.
Pra thjesht dhe qartë, nuk është shqyrtuar nga KK hapja e garës dhe caktimi i datës së zgjedhjeve për kryetar të PD dhe sigurisht nuk është votuar fare për këtë.
Së dyti z. Berisha dhe çdo kush, mund të lexojë fjalën e Kryetarit të KK se ccfarë ka thënë për zgjedhjet (kohën dhe gjithccka tjetër).
Unë personalisht, por edhe disa folës të tjerë në fjalën e tyre, kërkuam të kishte kohë të mjaftueshme për analizë dhe për përgatitjet për zgjedhje, por e përsëris, kjo nuk u pranua të votohet në Këshillin Kombëtar.
Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për të vërtetën.
