Mbrëmjen e djeshme, një ekzekutim i kuruar deri në detaje dhe në dukje tipik mafioz ndodhi rreth orës 22:30 në aksin rrugor Tiranë-Durrës, shumë afër mbikalimit të Rinasit. Viktima e atentatit ishte Iljaz Çali, 37-vjeç i cili u vra teksa ishte duke udhëtuar me një makinë tip “Land Rover” të marrë me qira.
Policia dyshon se ekzekutori/ët e këtij krimi kanë ditur shumë për viktimën deri edhe çdo lëvizje të tij, madje e kanë ndjekur atë nga pas. Në momentin e shtënies me breshëri plumbash në drejtim të të shënjestruarit, makina e Iljaz Çalit ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa dyshohet se autori/ët, janë afruar dhe e kanë qëlluar sërish, për tu siguruar se ai ka vdekur dhe puna ishte kryer siç duhet.
Gjatë momenteve të para pas ngjarjes, dëshmitarët e pranishëm kanë dyshuar për ndonjë aksident pasi makina kishte dalë nga rruga, por më pas u kuptua se bëhej fjalë për një atentat mafioz.
Policia e cila mbërriti për pak minuta në vendngjarje nuk gjeti asnjë gëzhojë aty, pavarësisht se është qëlluar disa herë. Pra, atentatorët janë kujdesur të mos lenë prova pas krimit, çka bën që ngjarja deri më tani të mbulohet me mister.
Ndërkohë, raportohet se hetimet janë përqëndruar në dy pista kryesore. Njëra lidhet me biznesin që kishte viktima bashkë me të vëllanë, një kompani kromi në Bulqizë. Ndërsa pista e dytë është konfliktet dhe hasmëritë që mund të ketë pasur 37-vjeçari.
Iljaz Çali rezulton të jetë mik i Gjin Nikës nga Fushë Kruja, i vrarë në vitin 2014, administrator i një kompanie kromi.
