Ushtria izraelite ka urdhëruar banorët e dhjetëra fshatrave në jug të libanit të mos kthehen në banesat e tyre deri në një njoftim të rradhës.
Urdhri erdhi pas sulmeve të ushtrisë izraelite të enjten ndaj disa automjeteve të dyshimta që mbërritën në zonë dhe që sipas tyre shkelën marrëveshjen e arritur për armëpushimin.
Ushtria izraelite konfirmoi gjithashtu goditje të tjera ndaj një ndërtesë të përdorur nga Hezbollahu për ruajtjen e raketave me rreze të mesme në jug të Libanit.
Ky ishte sulmi i parë i tillë prej hyrjes në fuqi të armëpushimit mëngjesin e së mërkurës. Një ligjvënës nga radhët e Hezbollahut, iu përgjigj izraelit duke e akuzuar për shkeljen e marrëveshjes pas goditjeve me tanke.
Këmbimi i akuzave tregon brishtësinë e armëpushimit, i cili u ndërmjetësua nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca.
Ndërkohë, një tjetër vatër konflikti është ndezur në Lindjen e mesme. Fraksionet paramilitare të opozitës siriane kanë nisur një ofensivë të madhe në veri-perëndim të vendit, duke kapur territor nga forcat e presidentit Bashar al-Assad për herë të parë në shumë vite.
Ata kanë deklaruar se kanë marrë kontrollin e një numri qytetesh dhe fshatrash në provincat Aleppo dhe Idlib që nga e mërkura.
Ushtria siriane tha se forcat e saj po përballeshin me një sulm në shkallë të gjerë nga terroristët. Monitoruesit ndërkombëtar flasin për qindra viktima nga të dyja palët vetëm në dy ditët e para të konfliktit.