Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Shqipëri-Kosovë do të mbahet më 25 shtator në Shkodër.
Ka qenë zv.kryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj ajo që ka bërë të ditur lajmin në mbledhjen e qeverisë në Prishtinë. Ajo do të jetë dhe koordinatore e këtij takimi dhe tha se shumica e draft-marrëveshjeve mes dy vendeve ka përfunduar.
“I kërkoj mirëkuptim ministrave tonë nëse ndonjë draft-marrëveshje nuk do të kalojë për marrëveshje atje, për shkak të procedurave ligjore që i kanë pala shqiptare. Por besoj që deri më tash shumica e tyre kanë përfunduar, por një finalizim do të bëhet nesër”, tha ajo.
Krahas këtyre qeveria në mbledhjen e sotme miratoi edhe disa projekt-rregullore, në mesin e të cilave edhe ajo për riintegrimin e personave të riatdhesuar.
