Vitaminat C dhe E, zinku, luteina, ‘zeaxanthin’ (karetonoid i pranishëm në retinën e syrit) dhe acidet yndyrore omega-3 luajnë të gjithë rol në shëndetin e syrit. Ato mund të ndihmojnë në parandalimin e katarakteve, që mjegullojnë shikimin tuaj. Ato gjithashtu mund të luftojnë shkakun më të mundshëm të humbjes së shikimit, kur jeni më të vjetër në moshë: degjenerimin makular (AMD). “Është gjithmonë më mirë të merrni ushqyes nga ushqime, të cilët ne e dime që e ndihmojnë shikimin,”- thotë Elizabeth J. Johnson, PhD. Shkencëtare dhe hulumtuese, profesore e asociuar në Universitetin “Tufts” në Boston. “Ushqimet mund të përmbajnë edhe shumë lëndë ushqyese të tjera, të cilat ne nuk jemi të vetëdijshëm që mund të ndihmojnë, gjithashtu”, vëren ajo.
Disa ushqime që ndihmojnë sytë dhe shikimin tuaj janë:
Spinaqi dhe lakra jeshile
Antioksidantët mbrojnë kundër dëmtimeve të syrit nga gjëra të tilla, si: rrezet e diellit, tymi i duhanit dhe ndotja e ajrit. Këto zarzavate me gjethe të gjelbëra janë të pasur me dy element të mirë për sytë, luteinën dhe ‘zeaxanthin’.
“Ata futen në thjerrën dhe në retinën e syrit tuaj dhe besohet se thithin dritën e dëmshme të dukshme”, thotë Johnson. Shumica e njerëzve kanë shumë pak nga këta dy ushqyes, por kjo gjë mund të rregullohet lehtë. “Duke ngrënë shumë spinaq gjatë një jave do të ndihmojë të ulni rrezikun e sëmundjeve të syve, që lidhen me moshën”, vëren Johnson. Lakra jeshile I ka dyfish këta ushqyes. Zarzavet me ngjyrë jeshile, brokoli dhe frutat me ngjyrë si kivi apo rrushtë janë një tjetër mënyrë për të marrë këta ushqyes.
Luleshtrydhet dhe lakrat e Brukselit
Vitamina C është antioksidanti më i mirë, që i bën mirë dhe syve. Këto ushqime janë ndër burimet kryesore të vitaminës C. Hani një gjysmë grejpfrut dhe një pjesë të vogël lakre Brukseli ose luleshtrydhe (një gjysmë filxhani) në ditë dhe keni ndihmuar sytë tuaj. Papaja, portokalli dhe specat jeshilë janë burime të tjerë të mirë të vitaminës C.
Fara, arra dhe farat e grurit
Vitaminat C dhe E së bashku, punojnë për të mbajtur të shëndetshëm lidhjen e indit të syrit. Por shumica prej nesh nuk marrin shumë vitaminë E nga ushqimi. Konsumoni një grusht të vogël fara luledielli, ose përdorni një lugë gjelle vaji me fara gruri në sallatën tuaj, për të marrë vitaminë E. Bajamet, arrat amerikane dhe vajrat bimorë janë gjithashtu burime të mirë./TiranaNews/