Duke folur për zhvillimet e fundit në PD, deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, vuri theksin te nevoja e një bashkimi të të gjitha forcave që aktualisht veprojnë të ndara në kampin blu, e që sipas saj, do të vijë si derivat i dëshirës për të fituar në zgjedhjet e ardhshme.
Pyetjes se në krah të kujt do të rreshtohet, Sali Berishës apo Enkelejd Alibeajt, ajo iu përgjigj duke thënë se nuk është momenti dhe as koha që selia blu të humbasë askënd.
“Nuk është çështja te logoja dhe vula, kjo nuk i dha dhe nuk i hoqi asgjë asaj që njerëzit ndiqnin. Ra klisheja. Klisheja e parë ka rënë kur ne kemi humbur pushtetin pas 8-vitesh. Ua kam thënë kolegëve, humbje pas humbje nuk mund të durojnë më njerëzit. Duhet një riformulim i madh, nuk kemi luksin të humbim asnjë. Nuk kemi luksin të humbasim askënd. Dhe s’kemi luksin të flasim me gjuhën e ndasisë. Do të ketë një bashkim, patjetër që do të ketë një bashkim se vjen nga nevoja për ta bërë fituese. Unë jam e bindur që do të ketë një bashkim. Pse ta them këtë. Unë takoj, nuk e bëj me bam-bame takimin me demokratët. Dhe dëgjoj kur thonë për zgjedhjet në bashki, ju aty lart bëni zhurmë, kurse ne jemi bashkuar se duam të fitojmë bashkitë”, u shpreh Duma në emisionin “Kjo Javë”.
Por, a është ndjerë e zhgënjyer nga kolegët e saj?
“Jo, absolutisht jo. Kaq vite në politikë më kanë bërë të kuptojë që trajektoret e njerëzve në politikë ndryshojnë në varësi të kohës. Axhendat e karrierës personale nuk gjykohen kurrë, ato duhen pranuar. Po unë jam gruaja më e votuar në PD, në vota individuale pa modesti. Por a tregon kjo votat e mia reale. Jo nuk i tregon se isha në një zonë në periferi të Tiranës.”
Sa i përket një rikthimi të mundshëm të Lulzim Bashës në krye të PD, Duma e konsideron si të pamundur dhe të pavlerë.
Më tej, ajo iu drejtua me një thirrje demokratëve:
“Thirrja që kam për demokratët është të mbyllin veshët ndaj thirrjeve që maxhoranca bën për ta, duke përfituar si shushunjat në një situatë jo të mirë për PD.”
