Një qytetar afgan që është strehuar në Qytet Studenti, i quajtur Fajaz Ahmad shprehet se me ardhjen në Shqipëri ndihet më mirë dhe një hap larg ëndrrës së tij, mjekësisë.
Ahmad shton se ka mbaruar studimet për mjekësi në vendin e tij, por ishte e pamundur ta vazhdonte misionin atje dhe se shpreson që së shpejti të nisë studimet në universitetin Johns Hopkins në Amerikë për tu bërë një kirurg kardiologjie i njohur.
“Quhem Fajaz Ahmad, jam 26-vjeç, jam diplomuar si mjek por mu desh të ndërprisja punën atje.
Nuk shihja më një të ardhme në Afganistan, për shumë arsye, së pari mundësia për të qëndruar, ekonomia e vendit dhe çdo gjë që ra në dorë të talibanëve.
Kemi familje që duhet t’i ushqejmë, rrëmbeva mundësinë që m’u ofrua dhe erdha këtu. Këtu nuk kam asnjë pjesëtar të familjes sepse vëllai im mbeti atje pas u sëmurë u helmua nga ushqimi.
Arritëm dje në orën 10 në mëngjes, ndihem më i lirë se nuk ka kufizime si në Abu Dabi apo vende të tjera.
Në Abu Dabi ishim si të burgosur ndoshta për shkak të protokollit të Covid-19, unë jam i vaksinuar.
Unë ëndërroj të bëhem kirurg në kardiologji. Nuk e kam planifikuar të qëndroj këtu, dua të iki në Amerikë dhe të studioj në universitetin Johns Hopkins. Sinqerisht ndihem vërtet mirë, një hap larg ëndrrës time”– u shpreh Ahmad për FaxNews.
