Dy vëllezër të familjes Bilali në Tiranë janë ekzekutuar në vitin 1997 dhe 2010 në atentate me armë zjarri e kësisoj, ish-oficeri i vrarë, Arben Bilali, jetonte i ngujuar prej vitesh. Sot, rreth orës 14:35, ai nuk do t’i shmangej dot 3 plumbave nga tre autorë të maskuar. Ish-oficerit i ishte bërë edhe një atentat që dyshohet për hakmarrje edhe në vitin 2010, po në zonën e Selitës, por ai do të ndërronte jetë pas të sotmit, pranë banesës së tij në zonën e Selitës në kryeqytet.
Vrasësi nuk ka dalë nga automjeti dhe ka nxjerrë armën nga dritarja e pasme. Ai qëndronte i ulur në sediljen prapa shoferit dhe kreu qitje me zjarr të hapur në drejtim të 50-vjeçarit Arben Bilali. Vrasësi, jo vetëm që nuk ka dalë nga automjeti, por nuk e ka nxjerrë as kokën prej makinës, gjë që do t’i jepte policisë një mundësi identifikimi.
Automjeti është larguar më pas me shpejtësi, ndërsa policia vazhdon të mbledhë prova të tjera filmike për të parë se ku është ndalesa e fundit e këtij automjeti, nga ku u krye vrasja.
Ndërsa viktima Bilali, i cili ka qenë një ish-punonjës policie, ishte në automjetin e tij “Hyundai”. Në atë moment kishte parkuar për të shkuar në një lokal në afërsi të vendngjarjes. Krimi ka ndodhur në të njëjtin vend, ku viktimës i kishin vrarë vëllain 9 vite më parë.
Pista kryesore e kësaj vrasjeje mbetet ajo e hakmarrjes. Bilali ishte pjesë e një familjeje, që prej vitesh janë në një hasmëri me një tjetër fis në “Yzberish” të Tiranës, e prej këtij konflikti numërohen disa të vrarë nga të dyja familjet. Konflikt ky që daton prej vitit 1997.