Ndalimi i rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, nisma e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama ka hapur debatin mbi sigurinë e të miturve në botën digjitale. Sociologia Era Musaj vlerëson se kjo masë do të ndihmonte në mbrojtjen e të miturve, ndërsa ekspertja e IT-së, Ahmedie Rexha, ngre pikëpyetje mbi zbatimin e saj dhe thekson rëndësinë e edukimit digjital dhe sigurisë online.
Rrjetet sociale janë kthyer në pjesë të përditshmërisë së fëmijëve dhe adoleshentëve, duke i ekspozuar gjithnjë e më shumë ndaj bullizmit, kërcënimeve dhe përmbajtjeve të papërshtatshme online.
Përballë këtij realiteti, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një nismë për ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
Sociologia Era Musaj e sheh këtë propozim si një mënyrë për të kufizuar ndikimin e realitetit virtual tek të miturit. Sipas saj, fëmijët kalojnë shumë kohë në rrjetet sociale, ku jo gjithmonë përballen me informacione të vërteta.
Nga ana tjetër, ekspertja e IT-së, Ahmedie Rexha, thekson se mbrojtja e fëmijëve kërkon jo vetëm kufizime, por edhe edukim për përdorimin e sigurt të teknologjisë.
Rexha ngre gjithashtu shqetësime për verifikimin e moshës përmes dokumenteve personale, duke paralajmëruar për rreziqet që mund të krijohen lidhur me sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave.
Ndërsa debati për kufizimin e rrjeteve sociale vijon, mbetet sfidë gjetja e një ekuilibri mes mbrojtjes së të miturve dhe edukimit të tyre për një përdorim të sigurt të botës digjitale.
