Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, njëkohësisht anëtare e Kryesisë së PD-së, bën thirrje që qytetarët të dalin në protestë më 7 korrik.
Gjatë një takimi të thirrur nga ish-kryeministri Berisha me gratë e LDGSH-së, Topalli u shpreh se opozitë do të thotë protesta të pafundme për të gjitha sfidat me të cilat përballet qytetari shqiptar.
“Doktori tha një fjali, fitorja kalon përmes grave. E kam besuar thellësisht gjatë viteve që kam qenë e angazhuar. Partia jonë është ngjizur nga protestat. Nuk ka gjë më sfiduese se sa të jesh në opozitë, një opozitë të vërtetë dhe jo të shitur.
Ky vit ka qenë një nga sfidat më të mëdha të PD-së. Pjesa më parësore e rithemelimit të PD-së. Opozita do të thotë një axhendë protestash, protesta të pafundshme për të gjitha sfidat prej jush që çdo qytetar ka në familjen e vetë. Ka dy kauza që nuk mund t’i lësh kurrë.
Të shohësh se ke të kufizuar jetën e fëmijës tënd, të çohen në këmbë. Ju jeni këtu pavarësisht temeperaturave të larta. Më 7 korrik, një numër i lartë do vijnë për të sfiduar, së pari për lirinë dhe perspektivën që do i japin fëmijës së vetë. Ka shumë halle ky vend.
Dy janë më të rrezikshmet, emigrimi dhe largimi ndërsa e dyta është fenomeni i rritjes demografike. Numri i vdekjeve, më i lartë se i lindjeve. Ky është alarm.
Arsyet janë të pafundme, gruaja nuk mëkaton kurrë me heshtje kur bëhet fjalë për familjen e saj” – tha Topalli.
