Kryeministri Edi Rama deklaroi se protesta e zhvilluar për më shumë se 50 ditë para Kryeministrisë ishte një moment reflektimi për qeverinë, duke theksuar se diferenca mes fakteve të qeverisë dhe perceptimit të qytetarëve krijoi një hendek që duhet të mbyllet.
“Fakti ynë ishte se projekti është ende sot në duart e një skuadre ndër më të mirat, përjetimi i tyre ishte se projekti duhej anuluar. Faktet tona thoshin se ne kishim në dorë të vërtetën, ata përjetonin se e kishin të vërtetën në anën e tyre.
Aty pati ndërhyrje të huaja, lajme të rreme. Këto janë fakte, ekspozimi dhe analiza e tyre janë të domosdoshme, por asnjë prej tyre dhe as të gjitha bashkë nuk ishin zemra e atij manifestimi që e ktheu bulevardin në hendekun më të dukshëm të mundshëm mes fakteve tona dhe përjetimit të njerëzve. Përgjigjja për themelin e atij hendeku nuk duhet kërkuar te ato pjesë të bashkëngjitura të protestës, por te pritshmëritë e rritura të njerëzve dhe konflikti i tyre me përvojat e përditshme. Ato e derdhën kupën e durimit të tyre në bulevard. Ai hendek nuk u hap për të qëndruar ashtu, por për t’u mbyllur.
Mbyllja e tij nuk bëhet duke bërë sikur mbyllet vetë. Aty mbetën vetëm vezët e punëzinjve, se flamingot ikën. As duke bërë thjesht ca lëvizje njerëzish apo duke bindur veten se populli do të bindet kur të shohë veprën aty ku sot ia shikon atdheun e nxjerr në shitje, asnjë nga këto, as të tëra bashkë nuk mjaftojnë dot për ta mbyllur atë hendek. Dhe për ta kuptuar deri në fund atë hendek, fokusohemi te përjetimi i njerëzve.
Sepse kur midis fakteve dhe përjetimit hapet një hendek i tillë, atë e ka hapur rënia e besimit se pritshmëritë e tij do të realizohen. Edhe fakti më i fortë të duket gënjeshtër, edhe gënjeshtra më e madhe si e vërtetë. Reja dixhitale e protestës lëshoi një pafundësi sinjalesh në të gjitha anët e globit. Mbi Zvërnecin qëndronte edhe hija e emrit më të polarizuar të politikës, përderisa në qendër të projektit ishte dhëndri dhe e bija e tij. Pa atë lidhje, protesta do të kishte, në rastin më të mirë, një çështje shqiptare, por falë asaj lidhjeje ajo u bë një legjendë globale. Ky është fakti i kohës së kanaleve sociale ku noton sot bota”, Rama.
