Ish drejtori i shkollës së mesme pyjore të Shkodrës është vënë në pranga për shpërdorim detyre, pasi ka kaluar një nxënës të kësaj shkolle në kohën kur ai ishte i përjashtuar prej saj. Hetimi ka nisur edhe për dy mësueset e kësaj shkolle të cilat i kishin vendosur notë kaluese këtij nxënësi duke i dhënë kështu vitin shkollor.
NJOFTIMI
Gjithashtu specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin A.Ç., 41 vjeç, ish-Drejtor i shkollës së mesme pyjore në Shkodër, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shkollore”. Shtetasi A.Ç., në detyrën e Drejtorit, në vitin 2019, pas përjashtimit nga shkolla të nxënësit Z.L., i ka vendosur nota kaluese në lëndët e semestrit të dytë të klasës së 11-të, duke i dhënë klasën e 11-të këtij nxënësi, edhe pse ishte përjashtuar në mars 2019, si dhe është pasqyruar pa mungesa në regjistër, me qëllim që ai të përfundonte vitin shkollor në muajin qershor 2019.
Po ashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës“ edhe për dy mësueset A.T. dhe B.L., pasi nga veprimet e para hetimore që janë kryer në shkollën e Mesme Pyjore Shkodër ka rezultuar se ato u kanë vendosur nota kaluese nxënësve të përjashtuar nga kjo shkollë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
