Kryetari i PD Lulzim Basha i ftuar në emisionin “Opinion” ka folur në lidhje me akuzat ndaj tij si personi që ka marrë kasetën e masakrës së Krushës së Madhe.
Ai është shprehur se është e vërtetë që është nip në Pejë, por tha se kurrë nuk e ka takuar Milaim Bellanicën, personin që e ka akuzuar për marrjen e kasetës.
Për sa i përket kësaj kasete, Basha u shpreh se atë e ka marrë Dashamir Peza dhe BBC, ndaj edhe pamjet janë transmetuar në të gjitha mediat ndërkombëtare.
Ndërkohë Basha tha se ka bërë vetëm 2 hetime në jetën e tij, njëri prej të cilëve ka qenë për të çuar para drejtësisë Sllobodan Millosheviçin.
“E vërteta është ajo që keni shteruar këtu. Kaseta e masakrës së Krushës së Madhe është marrë nga Dash Peza, apo nga BBC. Këtë fakt unë e kam mësuar prej rrëfimit të tij. Kaseta ishte një trillim, një fabrikim i ulët. Unë nuk ndihem as i dëmtuar dhe as i kërcënuar nga hera e tretë në 15 vite që paraqiten të njëjtat akuza.
Që unë jap nip Peje nga gjyshja dhe nip Drenice nga gjyshi ky është një fakt që e kam pranuar 100 herë. Akuzat ndaj meje kanë marrë përgjigje në këtë studio. Asnjëherë nuk e kam takuar zotin Bellanica. Dashamir Peza tregon që kaseta është marrë nga BBC dhe është transmetuar në mbi 180 vende të botës.
Kurrë asnjëherë nuk kam qenë pjesë e asnjë procesi kundër UCK, asnjë hetimi. Dy hetime kam bërë unë: kam qenë pjesë e tribunalit të Hagës që ngriti akuzën kundër Sllobodan Millosheviçit në vitet ’98-’99. Jam krenar për kontributin tim për të çuar para drejtësisë “Kasapin e Ballkanit”.
Edhe në Mitrovicë kam hetuar për krimet e serbëve. Këto janë dy hetimet e mia.
Të gjitha akuzat ndaj meje janë gënjeshtra. Fillimisht kam qenë përkthyes për 6 muaj. Kurrë në asnjë çast nuk kam marrë pjesë në asnjë lloj procesi dhe nuk kam patur akses në asnjë dosje që kishte të bënte me UÇK-në., kjo e faktuar edhe nga ish-kryeprokurori Williamson”, tha Basha.
