Kukësi vazhdon të ndjekë Tiranën në kampionat, por arritja e bardhebluve në 8 javët e mbetura të Superores duket shumë e vështirë. Ndaj verilindorët kanë hedhur sytë nga Kupa, ku të enjten luajnë ndaj Apolonisë sfidën e parë.
“Kjo është një ndeshje Kupe, me dy takime, ndeshje që do rëndësi se Kupa është trofe që është objektivi ynë dhe do ta vlerësojmë maksimalisht. Mendoj që gjendja është e mirë, e përsëris se nuk kemi dëmtime, skuadra po shfaqet mirë në fushë. Vijmë pas një periudhe të vështirë, deri diku jam i kënaqur”, shpjegoi trajneri i Kukësit, Orges Shehi, duke folur për RTSH pas stërvitjes së fundit të ekipit.
Në një periudhë me kalendar të ngjeshur, shumë nga skuadrat po mendojnë për rotacion në ekip. Por Shehi është i bindur se kjo nuk do të ulë cilësinë e lojës së kukësit. “Do të mundohemi të hedhim në fushë lojtarët që janë më të përshtatshëm. Në konceptin tim nuk ka lojtarë stoli apo formaioni, të gjithë janë të denjë për të qenë në formacion si për këtë ndeshje, ashtu edhe për të tjera”, tha ai.
