Dorëheqja e kancelares gjermane, Angela Merkel, pas zgjedhjeve federale në fund të muajit, do të shënojë fundin e një epoke jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për Bashkimin Evropian.

67-vjeçarja Merkel është në pushtet që nga viti 2005 dhe është kancelarja e tretë më jetëgjatë në historinë gjermane, pas Otto von Bismarkut në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe Helmut Kohlit në shekullin e njëzetë. Ajo ka qenë e vetmja grua kancelare në vend.

Për 16 vjet zonja Merkel ka qenë në qendër të politikës gjermane – dhe në një masë të madhe edhe të politikës së Bashkimit Evropian.

Ajo është parë gjerësisht si një prani e qëndrueshme në bllok, si politikane e pjekur që mund të qetësojë dhe zbusë mosmarrëveshjet, shpesh duke gjetur një rrugëdalje nga mosmarrëveshjet në dukje të pazgjidhshme mes 27 shteteve anëtare, duke i shtyrë ose mbyllur ato.

David Cameron i Britanisë iu drejtua pikërisht zonjës Merkel kur donte të siguronte një marrëveshje që ai shpresonte se do ta ndihmonte për të fituar Brexit 2016 – dhe pasardhësi i tij konservator britanik, Boris Johnson, i bëri thirrje Berlinit për të ndihmuar në zgjidhjen e një ngërçi në bisedimet e daljen nga blloku midis Londrës dhe Brukselit, të cilat shmangën një kolaps të plotë të marrëdhënieve midis BE -së dhe Britanisë.

Kriza e Euros

Zonja Merkel ndihmoi në nxjerrjen e bllokut nga kriza financiare e vitit 2008 dhe ajo pasuese e Euros kur monedha e bllokut ishte e rrezikuar rëndë.

“Nëse Euro dështon, Evropa dështon,” paralajmëroi zonja Merkel ndërsa stuhia ekonomike intensifikohej. Ajo mori drejtimin e zbatimit të masave të ashpra shtrënguese në vendet me borxhe të Evropës Jugore, ndërsa në të njëjtën kohë mbështeti ndihmën dhe huatë për vendet anëtare të BE -së në vështirësi. Ajo gjithashtu mbështeti Bankën Qendrore Evropiane në blerjen e sasive të mëdha të obligacioneve qeveritare dhe uljen e normave të interesit në zero, duke i krijuar mundësinë kreut të kësaj Banke, Mario Draghi të përmbushte premtimin e tij për të bërë “gjithçka që duhet” për të shpëtuar Euron.

Edhe Yanis Varoufakis, ish-ministri grek i financave, i cili debatoi me zonjën Merkel për kushtet e ashpra të shpëtimit që Berlini i imponoi Athinës, ia atribuon asaj shpëtimin e monedhës evropiane.

“Menaxhimi i krizës ka qenë gjithmonë pika e saj e fortë, qoftë me shpëtimin e Euros gjatë krizës globale financiare të 2009, mbajtjen të bashkuar të Evropës gjatë krizës së refugjatëve, ose tani duke u përballur me pandeminë,” vë në dukje Judy Dempsey e qendrës së studimit Carnegie Europe kohët e fundit në një analizë mbi trashëgiminë e zonjës Merkel.

Vlerësime të përziera

Por analistja e qendrës Carnegie gjithsesi e cilëson të përzierë dhe “të paqartë” trashëgiminë e zonjës Merkel. Në frontin e jashtëm “trashëgimia e saj, megjithatë, është jokonsistente, veçanërisht në lidhje me Rusinë dhe Kinën dhe disa prej vendeve anëtare të BE -së,” thotë ajo. Për disa kritikë ajo nuk ka qenë mjaft e ashpër me Rusinë dhe ka qenë shumë e gatshme të lejojë përfitimet dhe biznesin të përcaktojnë marrëdhëniet me Pekinin.

Edhe Robert Terrell, një studiues i Gjermanisë moderne në Universitetin Syracuse në Nju Jork, mendon se arritjet e saj janë të përziera, megjithëse ai thotë se vlerësimet për zonjën Merkel “do të vazhdojnë të ndryshojnë pasi kontekstet shoqërore të ndryshuara informojnë politikën e kujtesës.”

“Në Evropë, Recesioni i Madh dhe Kriza Evropiane e Borxhit e vendosën Merkelin në pozicionin e palakmueshëm të përpjekjes për të stabilizuar ekonominë e mbi 20 shteteve,” i tha ai Zërit të Amerikës. Ndërsa shtysa e saj për masat shtrënguese u prit mirë në Gjermani, ajo çoi në një shkallë të shovinizmit kulturor midis gjermanëve ndaj grekëve.

“Në Greqi, ajo mbetet një figurë përçarëse, me disa qytetarë grekë që e fajësojnë atë për një nga periudhat më të zymta të periudhës së fundit,” thotë ai. Ndjenja euro-skeptike është rritur gjithashtu në mënyrë dramatike në Itali dhe Spanjë.

Megjithëse vendimtare për krizën e Euros, pjesa më e madhe e arritjeve të saj i atribuohet atij që ndihmësit e saj e quajtën “durim strategjik”.

Në vitin 2015 “botuesi i fjalorit gjerman Langenscheidt njoftoi se ” merkeln ” – një formë foljore e emrit të Merkelit – ishte një ndër pretendentët për” Fjalën e re të vitit “.

Kuptimi i saj ushte që të mos bëje asgjë nga kujdesi i tepërt, ose të shqyrtoje diçka në mënyrë shterruese. Qoftë falë stilit të saj politik, apo një përpjekjeje të ndërgjegjshme për të shmangur kritikën gjinore për impulsivitet, zonja Merkel bëri një vendimmarrje të kujdesshme, “thotë prof. Terrell.

Migrimi dhe nacionalizmi

Megjithatë ajo nuk u tregua e tërhequr kur ishte fjala për krizën e migrimit të viteve 2015-16, kur qindra-mijëra azilkërkues nga Lindja e Mesme, Afrika nën-Sahariane dhe Azia Qendrore hynë në Evropë. Kritikët e zonjës Merkel thonë se politika e saj fillestare e dyerve të hapura inkurajoi valët e migrimit që goditën Evropën dhe tronditën politikën e kontinentit, duke nxitur forcimin e partive nacionaliste populiste.

“Kriza e refugjatëve ishte një moment tjetër i rëndësishëm gjatë qeverisjes së saj – që padyshim do të luajë një rol kyç në trashëgiminë e saj,” thotë zoti Terrell.

“Vendimi i Merkelit për të mirëpritur mbi një milion refugjatë që nga viti 2015 e la vendin të ndarë. Përkrahësit e ‘kulturës mikpritëse’ – ndihmuan në pajisjen e refugjatëve të ardhur me para, furnizime dhe strehim urgjent. Të tjerët rezistuan, duke e bërë krizën e refugjatëve një katalizator për ndjenjat gjithnjë e më radikale nativiste, “thotë ai.

Kjo gjithashtu nxiti tensione dhe përplasje me vendet e tjera anëtare të BE -së, veçanërisht me vendet fqinje të Evropës Qendrore, Poloninë, Austrinë dhe Hungarinë.

Zhvendosja tek centrizmi

Në Gjermani përshtypjet për të janë më të qarta.

“Nën drejtimin e Merkelit, Gjermania ndryshoi. Ajo e zhvendosi partinë konservatore CDU të dominuar nga meshkujt drejt qendrës, gjë që nuk është e lehtë për dikë të rritur në Gjermaninë Lindore komuniste dhe babai i të cilit ishte një pastor lutheran,” thotë studiuesja Dempsey.

“Ajo shfuqizoi rekrutimin ushtarak, pranoi martesën e personave të të njëjtit seks, u dha prindërve më shumë fleksibilitet kur ishte fjala për të marrë leje për fëmijët e porsalindur dhe mbështeti caktimin e një rroge minimale,” thotë Dempsey.

Mbështetësit e saj gjithashtu e vlerësojnë atë për mbylljen e 17 stacioneve bërthamore të Gjermanisë, një përmbysje e politikës pas katastrofës bërthamore në Fukushima të Japonisë, një lëvizje e guximshme politike përballë lobit të fuqishëm energjetik të vendit. Edhe pse armiqtë e saj – dhe disa ligjvënës të Gjelbër – kanë theksuar gjithashtu se mbyllja e stacioneve të energjisë do të thotë që Gjermanisë i është dashur të përdorë së tepërmi qymyrin, duke rritur emetimet serë.

Por ashtu si edhe në skenën e politikës së jashtme, disa kritikë vënë në dukje se për shumicën e 16 viteve në post, zonja Merkel preferoi që në frontin e brendshëm të bënte sa më pak të ishte e mundur, të menaxhonte dhe të bënte ndryshime të vogla, në vend që të përcaktonte objektiva të gjera vizionare dhe të përpiqej t’i arrinte ato.

“Vitet e Merkelit ishin një periudhë qendrueshmërie dhe mbështetjeje në vazhdimin e papërcaktuar të prodhimit dhe modelit të rritjes të nxitur nga eksporti i vendit”, thotë për Zërin e Amerikës Dalibor Rohac, një analist në Institutin American Enterprise, një qendër studimore në Uashington.

“Megjithatë, pa rritjen e produktivitetit, vazhdimi i status quo-së nuk është një garanci për mirëqenie të pakufishme ekonomike,” paralajmëron ai.

Ai thotë se arritja e Merkel ishte që të kishte shmangur konfliktin sa më shumë që të ishte e mundur gjatë 16 viteve të fundit. Për gjermanët kjo ka qenë një dhuratë siguruese. 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here