Kandidati i së majtës radikale në Francë, Jean-Luc Mélenchon, ka rritur me pesë pikë përqindjeje mbështetjen e tij brenda një muaji në një skenar të mundshëm të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale kundër lideres së së djathtës ekstreme, Marine Le Pen.
Sipas sondazhit të realizuar nga Toluna Harris Interactive dhe publikuar të hënën, Mélenchon ka arritur në 35% të mbështetjes, ndërsa Le Pen kryeson me 65%.
Megjithëse diferenca mes tyre mbetet e konsiderueshme, rritja e mbështetjes për liderin e partisë Franca e Papërkulur (LFI) tregon një forcim të pozicionit të tij në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.
Mélenchon konsiderohet një nga kandidatët me më shumë gjasa për të arritur në raundin e dytë përballë Le Pen. Ai ka kandiduar edhe në zgjedhjet e viteve 2012, 2017 dhe 2022, por nuk ka arritur asnjëherë të kalojë në balotazh.
