Edhe pse janë shpenzuar qindra mijë euro për Sistemin e ri Elektronik të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për zyrtarët e lartë, ai është tërësisht jashtë funksionit.
Me dhjetëra zyrtarë të rinj që sipas ligjit duhet të bëjnë deklarimin, apo dhe ata që dalin nga sistemi, janë përballur me pamundësi për të plotësuar deklaratat e pasurisë. Një skandal të tillë e konfirmojnë për tirananews.al edhe punonjësit e Postës Shqiptare të cilët shprehen se sistemi i ngritur me aq bujë nga ILDKPI prej 1 janarit 2022 nuk funksion. “Kemi ankesa pa fund, nga ata që aplikojnë për herë të parë ose ata që lënë detyrën dhe kanë detyrimin për të dorëzuar deklarimin”, shprehet një prej sportelisteve.

Krahas humbjes së kohës dhe ecejakeve të vazhdueshme në këtë periudhë kur temperaturat shënojnë mbi 40 gradë, qytetarët që duhet të dorëzojnë deklarimet e pasurisë rrezikojnë që të përballen me gjoba tepër të larta, ndërkohë që në varësi të humorit të specialistëve të ILDKPI-së, mund të humbasin edhe vendin e punës dhe të shkojnë dhe për ndjekje penale.
Ne jemi përpjekur që të komunikojmë edhe zyrtarisht me institucionin përmes e-mail-it të vendosur në dispozicion si dhe numrit të tyre zyrtar në faqe, por fatkeqësisht që të dy janë jashtë shërbimit.
Ndërkohë që institucioni që është ngritur me qëllimin e rritjes së transparencës me qytetarët, tregohet tepër hermetik.
Për mos dorëzim në afat nga zyrtari dhe personi i lidhur me të aplikohet kundërvajtje administrative nga 50.000 deri 100.000 lekë
Për mos dorëzim në afat të deklarimeve nga autoritetet përgjegjëse të institucioneve publike aplikohet kundërvajtje administrative nga 50.000 deri 100.000 lekë.
Si avulluan lekët e ndërkombëtarëve
Ky sistem është trumbetuar nga ILDKP si një zhvillim që do të ndihmojë në zbulimin e pasurive të fshehura nga zyrtarët. Por ajo që vihet re është që numri i kallëzimeve në prokurori ka rënë ndjeshëm nga viti në vit. I krijuar me mbështetjen e projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, Aksioni kundër Krimit Ekonomik, dhe USAID-it, sistemi elektronik i deklarimit të pasurisë mendohej se do të kontribuonte “në monitorimin efektiv publik të pasurisë së zyrtarëve duke thjeshtuar procesin e deklarimit dhe duke i bërë deklarimet publike në kohë reale”.

Për promovimin e sistemit të ri, ILDKP dhe KE nuk u kursyen as të organizonin një konferencë të madhe në Tiranë, ku morën pjesë dhe Sekretarja Ekzekutive e GRECO-s dhe Shefja e Departamentit të Veprimit kundër Krimit të Këshillit të Evropës, Hanne Juncher, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, Drejtoresha e Misionit të USAID-it, Mischere Kaëas dhe Kreu i zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Jutta Gützkoë të cilët folën me superlativa. Fatkeqësisht, edhe këto fonde me sa duket kanë humbur rrugës si në shumë fusha të tjera, pasi qytetarët shqiptarë përballen me një sistem që nuk funksionon.
Shpresa e vetme e tyre mbetet një vendim i mundshëm i ILDKP që të shtyjë afatet e deklarimit për shkak të mosfunksionimit të sistemit. Në të kundërt do të rrezikojnë që të përballen me gjoba të majme dhe pse jo dhe nisjen e procedimit.
