Janë luajtur dy ndeshjet “play-out” të Kategorisë së Parë, ku rezultatet kanë qënë jo pak surprizë. Ato përcaktuan Orikun dhe Turbinën si 2 ekipet që do të luajnë në këtë kategori për sezonin e ri 2022-2023, duke bërë që Pogradeci dhe Devolli të luajnë në Kategorinë e Dytë.
Oriku bëri mrekullinë ndaj Pogradecit, duke arritur të fitojnë 2-1 dhe të sigurojnë ngjitjen në Kategorinë e Parë duke rrëzuar liqenorët. Ndeshja u luajt në stadiumin “Shkumbini” të Peqinit, ndërsa golat e sfidës u shënuan nga Qejvani 25’ dhe Çaushaj 38-të për Orikun, ndërsa goli i shënuar nga Viera në minutën e 73-të edhe pse shkurtoi diferencën për Pogradecin, nuk mjaftoi për mbijetesën e liqenorëve në Kategorinë e Parë.
Sakaq, edhe në përballjen tjetër Turbina arriti të shmangte “dramën” pasi arriti të mposhte minimalisht Devollin, teksa iu fal golit të shënuar nga Vidal në minutën e 90-të, realizim i shënuar nga një penallti.
