Ditën e sotme, luhen edhe tre ndeshjet e mbetura të Kategorisë Superiore. Sfida që do të ketë të gjithë vëmendjen është ajo mes Tiranës dhe Kukësit në kryeqytet. Bardheblutë kërkojnë të lejnë pas zhgënjimin në Kupë, i cili u shoqërua edhe me shumë polemika mbi mënyrën si erdhi ajo disfatë. Ndërkohë, sot mund të jetë dita e duhur që Tirana të shpallet kampione matematikisht, edhe pse nuk do jetë e lehtë duke qenë se i duhet të triumfojë me tre gola diferencë.
Tekniku Emanuel Egbo nuk ka dispozicion për këtë sfidë Albi Dokën dhe Idriz Bathën të cilët kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Sakaq, në kampin e Kukësit, trajneri Orges Shehi dhe të besuarit e tij kërkojnë të qëndrojnë në garën për titull. Por, tekniku i verilindorëve në këtë sfidë duhet të përballet me mungesa të rëndësishme si ajo e Vasil Shkurtaj dhe Erhun Obanor, mungesa të cilat mund të lëvizin jo pak ekuilibrat.
Ndërkaq, një tjetër sfidë e rëndësishme e kësaj jave është edhe ajo në Ballsh mes Bylisit vendas dhe Partizanit. Të kuqtë kanë si objektiv kualifikimin në Kupat e Europës dhe tre pikët janë detyrim për formacionin e trajnerit Adolfo Sormani. Nga ana tjetër, ballshiotët kanë treguar se në fushën e tyre janë një “kockë e fortë”. Po ashtu një ndeshje tjetër e fortë do të luhet në Durrës, aty ku Teuta do presë Skënderbeun. Durrsakët dhe korçarët kërkojnë Kupat e Europës, por nëse “Djemtë e Detit” kanë mundësinë e tyre edhe nga Kupa, për Skënderbeun ky mund të jetë “treni i fundit”
Ndeshjet:
17:45 Tirana-Kukësi
17:45 Bylis-Partizani
20:45 Teuta-Skënderbeu