Minisitrat e Jashtëm të Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe ai i Slovakisë kërkojnë çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në letrën e tyre të botuar nga Politico.eu, Tomas Petricek, Peter Szijjarto, Jacek Czaputowicz dhe Miroslav Lajcak shprehen se sfidat me të cilat përballet BE nuk duhet të heqin fokusin nga ajo që BE ka arritur në Ballkanin Perëndimor, dhe që mund të realizojë duke i qëndruar angazhimeve që ka bërë në rajon.

Duke vlerësuar progresin e të dy vendeve ata theksojnë se kjo nuk do të ishte bërë e mundur pa perspektivën e qartë të anëtarësimit në BE. “Objektivi i anëtarësimit në BE shërben si një motivues i fuqishëm për qeveritë dhe qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i nënshtrohen reformave të nevojshme, por shpesh të dhimbshme. Ne nuk mund të jemi të pavëmendshëm ndaj këtij realiteti dhe të kërkojmë justifikime për të mos ecur para me procesin e integrimit në BE”, thuhet në letrën e tyre.

Të katër shefat e diplomacisë së këtyre vendeve vërejnë se çelja e negociatave është hap i rëndësishëm në rrugën e anëtarësimit në BE, por nuk duhet të ngatërrohet me vetë anëtarësimin.

“Integrimi në BE është një proces i ekuilibruar i bazuar në meritë që synon të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor të reformojnë dhe përgatiten për anëtarësim në BE duke përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të tyre”, vijon letra.

Nga ana tjetër, çelja e negociatave sipas tyre do të ishte një riafirmim i BE për angazhimin e saj në stabilitetin, sigurinë, demokracinë dhe zhvillimin e rajonit. “Dhe do të pranojë faktin se vetëm përmes integrimit të Ballkanit Perëndimor, BE mund të jetë e plotë dhe interesat afatgjata të mbrohen siç duhet”, përfundon letra.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here