Gjatë një interviste të dhënë, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov deklaroi se negociatat e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës nuk janë aspak të lehta, megjithatë ka shpresë për të arritur në kompromis.
“Unë udhëhiqem nga vlerësimet e bëra nga negociatorët tanë. Ata thonë se negociatat nuk janë të lehta për arsye të dukshme. Por megjithatë, ka njëfarë shprese për të arritur një kompromis,” raportohet të ketë thënë Lavrov gjatë një interviste me gazetën “RBC”.
Kryediplomati rus shprehet se problemet nuk kanë të bëjnë vetëm me neutralitetin dhe çmilitarizimin e Ukrainës, por edhe me sigurinë për njerëzit në Ukrainën lindore, rajon ky ku ndodhen zonat e Donetsk dhe Luhansk të cilat janë të kontrolluara nga rebelët.
