Gjeneralët e lartë të NATO-s shprehen se presidenti rus Vladimir Putin mund të godasë objektiva në të gjithë Evropën në një luftë gjithëpërfshirëse kundër Perëndimit. Udhëheqësit i thanë ”Times” se blloku mund të ketë jo më pak se tre vjet për t’u përgatitur për një ofensivë të mundshme ruse në tokën evropiane, e cila do të shihte sulme kundër infrastrukturës civile dhe ushtarake thellë pas vijave të frontit.
Rusia ka përdorur tashmë taktika të ngjashme gjatë pushtimit të saj në Ukrainë, duke lëshuar raketa thellë brenda territorit ukrainas, ndërsa vetë Ukraina është kundërpërgjigjur duke synuar depot e municioneve, karburantit dhe qendrat e komandës.
Gjeneral-lejtnant Alexander Sollfrank, komandanti i qendrës logjistike ushtarake të NATO-s në Gjermaninë jugperëndimore, tha: “Nëse krahasojmë luftën dhe operacionet dhjetë vjet më parë ose pesë vjet më parë, atëherë kuptojmë se duhet të pranojmë se edhe zonat e pasme do të goditen ashpër”. “Duhet të supozojmë se një agresor do të përdorë të gjithë spektrin e forcës kinetike dhe jokinetike për të shkatërruar linjat e komunikimit, edhe në pjesën e brendshme të territorit. Kjo varion nga aktet e sabotimit përmes luftës elektronike dhe kibernetike deri te mundësitë kinetike përmes raketave, dronëve e kështu me radhë”, shtoi ai.
Ai dha një shembull të parashutistëve që u ndalohet ligjërisht përdorimi i parashutave të bëra për ushtrinë e një kombi tjetër, edhe nëse ato janë funksionalisht identike. “Edhe pse mund të mos lejohet për momentin, teknikisht nuk ka asnjë problem në shumë raste. Ku është problemi, për shembull, me një parashutist nga një komb evropian A duke përdorur një parashutë të një kombi fqinj B pasi është trajnuar në këtë sistem, ose duke bashkuar pajisje nga një komb në helikopterin e një kombi tjetër? Nëse nuk ka çështje teknike apo sigurie, pse jo”, shtroi pyetjen Sollfrank.