Deputeti socialist Pandeli Majko ka marrë si shembull “konfliktin e shuar” tashmë mes Ramës dhe Haradinajt, për të treguar se nuk ka përçarje mes shqiptarëve.
Ai tha se Kosova nuk bën dot pa Shqipërinë, dhe as Shqipëria pa Kosovën.
“Kemi të bëjmë me një shtet që nuk pranoi paketën e Ahtisarit. Shteti i Serbisë deklaron si një tregtar se “si mund të pranojmë pavarësinë pa marrë gjë në këmbim”.
Deklarata e fundit e Vuçiç në esencë është e papërgjegjshme. Në përgjithësi në Ballkan ngjarjet e rënda ndodhin kur nuk ka deklarata, dhe nuk besoj se do shkohet më tutje.
Sa i përket shqiptarëve nuk besoj se jemi të përçarë. Sherri që u konsiderua si i madh mes Haradinaj dhe Ramës u shua, s’ka më konflikt.
Duhet të jemi të sinqertë. Vuçiç me deklaratën që ka bërë nuk është se ka shpallur luftë, është një pohim i bërë në një moment delikat pasi ish-krerët e UÇK janë përpara Hagës sot, dhe tregon frymën politike që ai vend ka.
Ne nuk kemi tjetër përveç Kosovës. Kosova sot nuk është një hapësirë tokësore a emër, është një shtet. Ata nuk kanë tjetër përveç nesh, dhe ne nuk kemi tjetër përveç tyre”, tha Majko për abc news.
