Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 53-vjeçar i cili kërcënonte me armë zjarri bashkëshorten e tij. Kjo e fundit fatmirësisht ka lajmëruar në kohë efektivët të cilët kanë neutralizuar R.Sh., duke e arrestuar në flagrancë.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “10 korriku” të qytetit të Shkodrës, ku 53-vjeçarit iu gjet dhe një armë zjarri pistoletë me silenciator. Ndaj tij tashmë rëndojnë një sërë akuzash.
NJOFTIMI I PLOTE
Shkodër
Falë reagimit të shpejtë të Policisë, parandalohet një ngjarje e rëndë në familje
Arrestohet në flagrancë një 53 vjeçar i cili ushtronte dhunë psikologjike dhe kërcënonte bashkëshorten me armë zjarri
Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat”, falë reagimit të shpejtë u arrestua në flagrancë shtetasi R. Sh. 53 vjeç, banues në lagjen 10 Korriku, Shkodër
Ky shtetas në banesë ka ushtruar dhunë psikologjike dhe ka kërcënuar me armë zjarri pistoletë bashkëshorten.
Policia pas njoftimit të marrë, menjëherë ka shkuar në banesën e 53 vjeçarit dhe ka bërë neutralizimin e arrestimin e tij në flagrancë.
Në cilësinë e provës materiale ju sekuestrua një armë zjarri pistoletë me silenciator.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale të “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Dhuna ne Familje”.
