Ndërsa e gjithë bota është vënë në alarm prej coronavirusit që ka goditur jo vetëm Kinën, por numri i të infektuarve është shtrirë edhe në shumë shtete të tjera, Shqipëria paralelisht ka marrë prej kohësh masat e nevojshme, ndonëse sipas autoriteteve mbetemi një vend me rrezikshmëri të ulët.
Por siç duket, edhe në vendin tonë frika ka filluar të kapë qytetarët. Dy ekspertë të veshur nga koka te këmbët me uniformën e bardhë janë parë në ‘bulevardin Zogu I’ në Tiranë, duke ngjallur kureshtjen e kalimtarëve.
Po ashtu, të pranishëm ka pasur edhe forca policore.
Sipas burimeve nga QSUT, dy ekspertët dhe policia kanë shkuar për verifikim pas një telefonate në Urgjencën Kombëtare lidhur me një shtetas nga Kina, raporton Politiko.
Në zbatim të udhëzimeve të OBSH-së, nisur nga telefonata, ekspertët kanë shkuar në terren për të verifikuar rastin dhe ka rezultuar se nuk kemi të bëjmë me asnjë rast të dyshimtë dhe të infektuar me coronavirus, por me një shtetas kinez ilegal, i cili ishte larguar nga Kina që në nëntor 2019 dhe se po tentonte të kalonte në vendet e BE përmes Shqipërisë.
“Nuk ka as më të voglën lidhje me Koronavirus. Kanë vënë në alarm një vend të tërë kur duhej të informonin autoritetet e Policisë Kufitare dhe të Emigracionit. Kinezofobia ka marrë përmasa globale”, shprehet burimi për Politiko.