Është arrestuar në Vlorë një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Roma, Kasem Piluri 57 vjeç, i dënuar me 10 vite burgim, i cili është pjesë e një grupi kriminal që furnizonin familjet mafioze siciliane me kanabisin nga Shqipëria.
Ky shtetas ishte shpallur në Kërkim Ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Apelit Katania, Itali, në vitin 2017 e ka dënuar këtë shtetas me 10 vjet burg për veprën penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Një qershor të vitit 2017, Prokuroria për Krimet e Rënda në lidhje me hetimin e këtij grupi kriminal që dyshohet të ketë trafikuar sasi kanabisi nga Lugina e Vilunit drejt Italisë, Prokuroria kërkoi arrestimin e shtetasve Renato Çaushi, Andrea Mita, Kasem Piluri dhe Altin Rramolli.
Burime pranë organit të akuzës bënë me dije se në periudhën gjatë së cilës janë zhvilluar hetimet, janë marrë informacione të rëndësishme në lidhje me tri grupe kriminale që operonin në territore të ndryshme të Katanias në fushën e trafikut të narkotikëve, raporton Panorama. Bëhet fjalë për anëtarë të familjes Moraboito, që zhvillonin aktivitetin e tyre në zonën e populluar të lagjes Picanello, familjes Nizza, e cila zhvillonte aktivitetin në lagjen Libriono dhe të familjes Saita, një prej të cilëve i njohur me nofkën “Skeleti”.
Anëtarë të këtyre familjeve furnizonin këto lagje me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, nga i njëjti furnitor.
