Ministri për Mjedisin dhe Turizmin Blendi Klosi ka marrë pjesë në mbledhjen e task forcës së turizmit në Himarë ku u ka kërkuar vendorëve që të mos humbasin vëmendjen dhe që fushata të mos cenojë sigurinë në plazhe.

“I kërkoj kryetarit të bashkisë jo vetëm të Himarës, por sidomos edhe të Sarandës për problematikat që ka Saranda edhe të Vlorës që të mos humbin vëmendjen përsa i përket pastërtisë. Fushata elektorale nuk duhet të ndikojë në menaxhimin e aspekteve që kanë të bëjnë sidomos me sigurinë dhe pastërtinë në sezonin turistik”, tha ministri Klosi.

Ministri Klosi pranon se me gjithë angazhimin e qeverisë, nga miratimi i VKM-së për “Stacionet e plazhit” tek ndryshimet në kodin penal për të dënuar përsëritësit e zhurmave në plazhe, për sezon veror më të përgatitur, e vërteta në terren tregon se bashkitë janë ende larg zbatimit të tyre.

“Jemi shumë mbrapa në kuadër të përgatitjeve të sezonit të ri turistik. Është e pafalshme që ne duke menduar gjithë kohën për fushatën elektorale, sidomos bashkitë që mbase është edhe e natyrshme pothuajse kemi lënë pas dore përgatitjet për sezonin turistik. Akoma nuk kemi të sistemuar ndarjen e plazheve nga bashkitë. Sipas kërkesës së Këshillit të Ministrave, kjo duhet të kishte ndodhur që në fillim të muajit Maj. Jemi në Qershor dhe akoma plazhet nuk janë ndarë. Vendosja e bovave të lundrimit dhe të kontrollit të kufizimit të mjeteve të shpejtësisë, vitin e kaluar ka qenë në perfeksion. Në vend që të shkojmë duke progresuar mbi detyrat që i kemi vënë vetes për të realizuar një shërbim më cilësor dhe jetë më të sigurtë për pushuesit në plazhet tona, shkojmë mbrapsht!”, tha ministri Klosi.

Sipas tij, rritja e numrit të turistëve jo me dhjetëra por me milionë nga një vit në tjetrin bën që të shtohen përgjegjësitë, për këtë arsye është e patolerueshme që të mos ketë kontrolle mbi operatorët, që ofrojnë shërbime turistike, si edhe tek udhërrëfyesit turistikë, që shoqërojnë turistët edhe në zona me një lloj rrezikshmërie.

“Parvjet kishim vetëm 2 anije, sot në Vlorë kemi të licensuara 26 dhe këto të 26-ta duhet të jenë të kontrolluara, të certifikuara dhe të disafishojmë kërkesën e llogarisë përsa i përket sigurisë teknike të këtyre mjeteve. Kjo është detyrë immediate, nuk ka asnjë ditë kohë që ne të kemi një kontroll sa më të rreptë përsa i përket cilësisë së shërbimit të tyre”, tha ministri Klosi. Një tjetër problem sipas tij, është ai i zhurmave në plazhe, kontrolle që nuk do të ushtrohen më nga inspektorati i Mjedisit, por nga Forcat e Rendit, të cilët do të dënojnë penalisht përsëritësit e zhurmave.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here