Vendimi i Komitetit Ekzekutiv për uljen e numrit të lojtarëve jashtë Qarkut, ka bërë që klubet të ndryshojnë plan, e madje Tomorit të beratit i ka kushtuar shtrenjtë. Skuadra kishte më shumë se një muaj që stërvitej nën drejtimin e trajnerit Marjol Miho, e madje kishte bërë përforcime me lojtarë që më parë kanë qenë titullarë të spikatur në Kategorinë e Parë dhe të Dytë.
Tomori merr një goditje të rëndë në prag të sezonit të ri. Mbetet pa trajner dhe pa 8 futbollistët e ardhur gjatë merkatos së verës, duke e kompromentuar ndjeshëm objektivin për ngjitjen në Kategorinë e Parë.
Gjithçka varej nga vendimi i FSHF-së për numrin e lojtarëve jashtë qarkut dhe pasi u mësua se do të lejohen vetëm 3 lojtarë, ka ardhur vendimi i trajnerit fierak.
Trajneri Miho bëri 8 përforcime gjatë kohës që punoi në krye të Tomorit. Ai afroi dy portierët Shumeli dhe Paja, por edhe mbrojtësit Edison Kapo, Redon Hatia dhe Jurgen Hidersha, mesfushorët Romario Prifti dhe Indrit Lalaj, si dhe sulmuesi Gëzim Hyska.
Por, tashmë beratasve u duhet që ta nisin gjithçka nga e para, me trajner të ri dhe lojtarë të tjerë…!