Merkatoja e verës mund të shohë shumë futbollistë shqiptarë në lëvizje, sidomos ata që janë pjesë e futbollit italian, për të cilët ka kërkesa apo ka ndryshime të rëndësishme në strukturën e klubeve të tyre duke bërë që të ndërrojnë ambient. Shumë prej tyre janë të lidhur me emrin e një menaxheri në veçanti, Mario Xhiufredit.
I etiketuar shpesh si i bezdisshëm apo edhe i padëshiruar nga klubet e ndryshme për shkak të deklaratave të vazhdueshme në media, Xhiufredi përfaqëson interesat e lojtarëve si Hysaj, Veseli, Memushaj e Ndoj. Pikërisht këtij të fundit i kanë nisur telashet në klub, pasi pak ditë më parë presidenti e kërcënoi se do ta shiste nëse nuk ndryshonte menaxher.
Të katër futbollistët mendohet se mund të vihen në lëvizje këto muaj, duke shkuar drejt destinacioneve të reja për të vazhduar karrierën, ndonëse nuk dihet ende se cilat janë marrëveshjet që ka arritur Xhiufredi. Ky prej ditësh është shfaqur në klube të ndryshme për të diskutuar rreth futbollistëve që përfaqëson, pasi ka në zotërim edhe emra si Vertu, Mario Rui apo Konti.
Sot, menaxheri është shfaqur në zyrat e Milanit, për të takuar atje Maldinin e Leonardon. Diskutimet kanë qenë për të ardhmen e Kontit, por në Itali nuk fshehin edhe biseda për ndonjë prej futbollistëve të tjerë që administron menaxheri, për t’i bërë pjesë të kuqezinjve të cilët janë në fillimet e ndërtimit të një cikli të ri drejtues.