Autoriteti i Konkurrencës prezantoi raportin vjetor të 2018 në komisionin e Ekonomisë në Kuvend ku paraqiti dhe sugjerimet e tij.
Sipas kryetares së Autoritetit, Juliana Latifi, rekomandohet rishikimi i afateve për kolaudimin e makinave. “T’i rekomandohet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si vijon: liberalizimin e tregut në drejtim të ofrimit të këtij shërbimi, duke përfshirë edhe ofrimin e shërbimit të servisit, sikurse e ofron pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Europian. Rishikimin e manualit teknik dhe sidomos të afatit të testimit të mjeteve për t’u pajisur me certifikatën e kontrollit teknik”, thuhet në raport.
Latifi tha se janë bërë një sërë rekomandimesh por që nuk janë marrë parasysh. Ndërsa kreu i komisionit Arben Ahmetaj e ka quajtur koncesionin e kolaudimit të makinave një turp, pasi sipas tij nuk ka përmirësuar invetimet dhe nuk ka ulur koston. Ai i kërkoi Autoritetit të Konkurrencës që në rastet kur rekomandimet e tyre nuk merren parasysh nga qeveria ti drejtohet Kuvendit. “Një praktikë monopol që nuk përmirësoi radhën dhe nuk uli kostot. Duhet të dilni me propozime konkrete për ndryshimin e këtij tregu për Kuvendin, që më pas do t’i përcillen qeverisë”, tha Ahmetaj.