Nga Artur Ajazi
Pas asaj që shqiptarët, dhe veçanarisht militantët e asaj partie, panë dhe dëgjuan ditën kur u mblodh papritur Këshilli Kombëtar, a mund të themi se kjo është më PD-ja?
A mund të themi se kjo parti është demokratike, kur brënda saj zjejnë inatet, pazaret, mllefet, bërrylat, thashethemet, historitë e vjetra dhe të reja, parathëniet dhe paramendimet për cilindo, qoftë ky edhe “kontributor” apo drejtues i saj ?
A mund të themi se kjo parti është demokratike, kur gjithçka varet nga një njeri i vetëm, kur gjithçka varet nga kulisat e kryetarit, kunatit, dhe stafit të tij të ngushtë, kur gjithçka varet nga “nota kaluese” që të jep servili, milioneri dhe mediokrri që asnjëherë nuk ka qenë me PD, por thjesht ka zhavatur para prej pushtetit të saj ?
Jo kjo nuk është më PD-ja, asgjë nuk ka mbetur nga PD-ja e dikurshme të paktën, pasi kjo parti është mbushur me kameleonë dhe karrieristë, me klloun dhe njerëz pa asnjë kontribut të veçantë brënda saj, që duartrokasin fjalimet e kryetarit, që qeshin me premtimet dhe kushtrimet e tij për “aksione opozitariste dhe revolucione”.
Këshilli Kombëtar i kësaj PD-je, ngjasonte më tepër me mbledhjet e dikurshme të KQPPSH, kur turma skuqte duart duke thirrur “parti Enver jemi gati kurdoherë”.
Thirrja me urgjencë e Këshillit kombëtar, aspak nuk kishte synim “zgjedhjet e reja në kryesi dhe sekretariate” por largimin dhunshëm të një grupimi servilësh si limonë të shtrydhur, dhe zëvëndësimin e tyre me ish-pushtetarët e PD dikurshme të konvertuar sot në biznesmenë të kamur, të cilët prej vitesh ja kishin kthyer kurrizin asaj partie.
Mjafton të dëgjoje fjalimin e Lulzim Bashës për “besimin e munguar të shqiptarëve, për largimin masiv të tyre, për mungesën e kurajos dhe rolit të PD në situatën e krijuar” dhe të bindeshe se kjo parti nuk ka qenë kurrë e militantëve të saj, aq më tepër e shqiptarëve.
Mjafton të dëgjoje konstatimin e Lulzimit se “pasuritë e shqiptarëve po grabiten ndaj duhet të ngrihemi”, dhe të bindeshe se milionerët e tij (ende të pa hetuar) janë sot të vetmit aleatë besnikë të kryetarit .
Mjafton të dëgjoje konstatimin e Lulzimit se “shqiptarët e kanë humbur besimin tek vetja dhe tek e ardhmja e tyre ” dhe do të bindeshe se, një kryetar partie që nuk ka mundur të rikthejë besimin e anëtarësisë tij, si mund të rikthejë besimin e shqiptarëve tek kjo PD ?
Mjafton të renditësh emrat e të larguarve dhe përjashtuarve nga kjo PD në 5-6 vitet e fundit, dhe do të bindesh se ku e ka katandisur këtë parti kasta e milionerëve të kryetar Lulzimit. Mjafton të kujtosh dhe shikosh se me cilët bën aleanca dhe quan “aleatë politikë” Lulzimi, dhe do të bindesh se kjo PD, kurrë nuk do të arrijë të detajojë dhe finalizojë qoftë edhe njëherë të vetme, një aksion opozitar.
Për këto dhe shumë argumenta të tjera, mendoj se kësaj PD, i ka shteruar mundësia e të bërit “aksion opozitar, revolucion” apo dhe diçka tjetër që lidhet me ëndrrat e kryetari saj për të ardhur në pushtet.
Ndoshta Lulzimi ka menduar se me emërimin (apo rikthimin) e Bujar Nishanit si kryetar të KK, do të krijojë terrenin e duhur për të joshur militantët e zhgënjyer apo “mposhtur” sulmet e kritizerëve të tij.
Ndoshta ka menduar se duke flakur dhe duke afruar emra, apo duke rikthyer xhaketat e vjetra, mund të shpallë nesër “ringritjen dhe europianizimin e partisë” ?
Lulzimi gjithsesi mund të besojë gjithçka ujdis dhe vendos vetë, por kjo nuk është më PD-ja, kjo është thjesht Partia Basha.