Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim senatoren republikane nga Iowa, njëherësh veterane e ushtrisë amerikane, Joni Ernst.
“Senatorja Ernst përgëzoi kryeparlamentarin Konjufca për marrjen e detyrës së re dhe shprehu përkrahjen e parezervë të SHBA-ve për Republikën e Kosovës. Me këtë rast, Konjufca shprehu falenderime dhe konsideratë të lartë për kontributin e SHBA-ve dhe të senatores Ernst, si përkrahëse e fuqishme e Kosovës, veçanërisht për transformimin e FSK-së në një forcë të mbrojtjes territoriale të ndërveprueshme”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.
Po ashtu, në njoftim thuhet se Konjufca rikonfirmoi gatishmërinë për forcimin e miqësisë së palëkundur dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve , duke theksuar se roli i SHBA-ve është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm për të ardhmen e Kosovës, por edhe për paqen e stabilitetin në rajonin tonë dhe në botë.
