Konstituohet mes debateve dhe tensioneve këshilli Bashkiak i Himarës, ku kryetar është zgjidhur Dhimitër Kapaj nga PS-ja. Ai u zgjodh me 13 vota. Në garë për këtë post ishin dy kandidatura. Nga 21 këshilltarë, Dhimitër Kapaj mori 13 vota ndërsa Afrovita Dhimojani 8 vota.
Ndërkohë që mbahej mbledhja, jashtë ambienteve të bashkisë disa prej mbështetësve të Fredi Belerit kanë shfaqur një banderolë. Me një shkrim në gjuhën angleze të përkthyer në shqip “Liri kryebashkiakut të Himarës”, mbështetësit kanë vendodur banderolën në hyrje të bashkisë ku ka edhe forca policie për të siguruar mbareëvajtjen e procesit të betimit të anëtarëve të këshillit bashkiak.
Edhe pse është fitues i bashkisë, Fredi Beleri nuk u betua sot pasi ndodhet në paraburgim dhe dje GJKKO nuk i dha leje për të dalë. Edhe pse në izolim, Beleri ka zgjedhur që ditën e sotme t’u dërgojë një letër përshëndetëse anëtarëve të Këshillit të bashkisë së Himarës si dhe qytetarëve. Në letrën e tij, Beleri thotë se është penguar që të marrë detyrën duke tjetërsuar për momentin rezultatin e zgjedhjeve e shton se caktimi i masës së paraburgimit me 45 ditë është i padrejtë, por megjithatë nuk e ndryshojnë besimin e tij te demokracia, institucionet dhe pikë së pari te qytetarët.
“Të gjithë qytetarët e Himarës dhe unë si kryebashkiak, i pari mes të barabartëve, do të marshojmë të bashkuar për t’u bërë edhe më të fortë, duke mbrojtur Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut”,-shkruan ai në letrën drejtuar qytetarëve. Beleri shpreson që bashkësia ndërkombëtare do të mbrojë parimet dhe vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ai shkruan se u zgjodh kryetar bashkie në këtë vend të Evropës dhe një qytetar pjesëtar i minoritetit, u pengua të merrte detyrën.
